Forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe zhvilluan të premten në Lituani një stërvitje të përbashkët për testimin e teknologjive kundër dronëve, si pjesë e ushtrimit ushtarak “Project Fly Trap 5.0”.
Aktiviteti u zhvillua në zonën stërvitore Pabrade Training Area dhe mblodhi së bashku ushtarë, partnerë aleatë dhe ekspertë të industrisë ushtarake për të provuar zgjidhje me kosto të ulët kundër kërcënimeve nga dronët.
Gjatë stërvitjes, ushtarët operuan lloje të ndryshme dronësh, përfshirë modele “first-person view”, ndërsa testuan pajisje për bllokimin e sinjaleve (jamming) dhe sisteme zbulimi të montuara mbi mjete të blinduara. Ushtrimi vlerësoi metoda si ato kinetike ashtu edhe jo-kinetike për të ndërprerë, çaktivizuar ose shkatërruar sistemet ajrore pa pilot në kushte realiste fushëbeteje.
“Nuk ka një zgjidhje të vetme kundër sistemeve pa pilot; nevojitet një qasje shumë-shtresore që kombinon sensorë dhe mjete të ndryshme për të krijuar një mbrojtje gjithëpërfshirëse për ushtarët tanë,” deklaroi Major Galen King, oficer ekzekutiv i U.S. Army 2nd Cavalry Regiment.
Ai theksoi gjithashtu se elementë bazë të luftimit, si kamuflimi dhe hapja e pozicioneve mbrojtëse, po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme, pasi përdorimi i dronëve e bën fushëbetejën më transparente.
Sipas autoriteteve ushtarake, rezultatet e këtyre testimeve do të ndihmojnë në integrimin e ardhshëm të kapaciteteve kundër dronëve në strukturat e forcave amerikane dhe aleate./mxh
