Sipas Reuters, ushtria amerikane ka filluar të përdorë një teknologji ukrainase kundër dronëve në një bazë të rëndësishme ajrore në Arabinë Saudite, në përpjekje për të ndalur sulmet që kanë shkatërruar avionë dhe ndërtesa, si dhe kanë shkaktuar të paktën një viktimë në radhët e ushtarëve.
Burime të njohura me çështjen bëjnë të ditur se javët e fundit zyrtarë ushtarakë ukrainas kanë mbërritur në bazë për të trajnuar ushtarët amerikanë në përdorimin e sistemit SkyMap. Ky sistem përdoret gjerësisht nga ushtria ukrainase për të zbuluar kërcënimet nga dronët, përfshirë dronët Shahed, dhe për të organizuar kundërsulme përmes dronëve interceptues.
SkyMap është shndërruar në një nga platformat kryesore të komandës dhe kontrollit të përdorur nga ushtria ukrainase. Sistemi funksionon si një panel digjital që përmbledh të dhëna nga radarë dhe sensorë të ndryshëm, duke ofruar harta dhe transmetime video në kohë reale për të identifikuar dhe ndjekur kërcënimet ajrore.
Sky Fortress, e cila prodhon Sky Map, u lançua në vitin 2022 nga inxhinierë ukrainas të lidhur me ushtrinë, të cilët vendosën më shumë se 10,000 sensorë akustikë në të gjithë Ukrainën për të zbuluar sulmet ruse me dronë, sipas një personi të njohur me kompaninë.
Kompania, e cila mori fonde nga njësia e inovacionit të ushtrisë ukrainase, Brave1, zhvilloi Sky Map si një platformë softuerike për të koordinuar sulmet kundër dronëve./mxh
