Ambasadori rus në Itali u thirr sot nga autoritetet në Romë, pas deklaratave ofenduese të një moderatori televiziv rus ndaj kryeministres italiane Giorgia Meloni.
Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani thirri ambasadorin Alexey Paramonov pas deklaratave të bëra nga prezantuesi dhe propagandisti rus Vladimir Solovyov, i cili në një transmetim të televizionit shtetëror rus ofendoi kryeministren italiane duke e quajtur “fashiste”, “idiote e certifikuar” dhe “një grua të vogël të shëmtuar e të neveritshme”, mes të tjerash.
Sipas agjencisë së lajmeve ANSA, Tajani deklaroi se gjatë takimit i kishte bërë të qartë Paramonov-it se ishte e papranueshme që një moderator që punon për “Russia 1”, televizionin shtetëror, të përdorë gjuhë vulgare dhe të papranueshme ndaj kryeministres së një shteti të lirë dhe demokratik si Italia.
“Roma nuk kundërshton kritikat politike ndaj Melonit, por “fyerjet vulgare dhe seksiste” të drejtuara ndaj saj”, shtoi Tajani.
Nga ana e tij, Paramonov e cilësoi thirrjen në ministri si një “gabim të rëndë”, duke akuzuar qeverinë italiane se po përdorte deklaratat e moderatorit si “pretekst”, pasi asnjë person i arsyeshëm nuk do t’i interpretonte vlerësimet personale, emocionale dhe private të një moderatori si qëndrime zyrtare të një qeverie.
Gjithashtu, ai sugjeroi se forca anti-ruse të lidhura me Ukrainën, brenda qeverisë italiane po përpiqeshin ta “zmadhonin” këtë episod në një skandal ndërkombëtar dhe politik.
Solovyov, një prej figurave kryesore të propagandës së Kremlinit, i bëri këto deklarata gjatë një transmetimi live, ku gjithashtu e quajti Melonin “turp për njerëzimin” në italisht dhe e akuzoi në rusisht se kishte “tradhtuar” presidentin amerikan, Donald Trump. /et
