Last Updated on 29/04/2025 by adminfjala
Sipas sondazheve të ndryshme, Agron Shehaj me “Mundësinë” dhe Adriatik Lapaj me “Shqipëria Bëhet” duken se kanë shanse reale për të fituar mandate në zgjedhjet e 11 majit. Nëse në vitin 2021 ishin LSI dhe PSD dy partitë e vogla me efikasitet në zgjedhje, këtë vit opozita do të jetë më e shpërndarë.
Sondazhet e “News24” dhe “Euronews Albania” deri tani kanë paralajmëruar se mandatet e Shehajt dhe Lapajt në qarkun Tiranë janë të sigurta. Me një llogari të thjeshtë paraprake, një mandat në qarkun më të madh në vend kërkon minimalisht 13 mijë vota.
Shehaj e ka treguar në 2021 se është një kandidat i pëlqyer, duke u renditur mes më të votuarve në Partinë Demokratike. Kësaj here ai garon me logon e partisë së tij, një test i guximshëm, por edhe premtues.
Lapaj, ndërkohë, është përqendruar shumë në takimet e tij në diasporë prej rreth 18 muajsh. Ai ka shkuar në qytete të ndryshme në Itali, Greqi, Gjermani, Suedi, Angli, Holandë, Belgjikë, SHBA dhe Kanada.
Ajo që pritet këto zgjedhje është që “Mundësia” dhe “Shqipëria Bëhet” të vuajnë pasojat që sjell sistemi elektoral në Shqipëri. Kjo i ndodhi Partisë së Lirisë në 2021, e cila mori mbi 100 mijë vota, por jo më shumë se 4 mandate.
Shehaj dhe Lapaj mund të marrin shumë vota në rang kombëtar, por duket thuajse e pamundur që të fitojnë mandate jashtë qarkut Tiranë. Për shembull, në qarkun Vlorë nevojiten minimalisht 8500 vota për një mandat, kurse në qarqet e tjera mesatarisht 10 mijë.
Në qarqet jashtë Tiranës avantazhin e ka Lapaj, i cili mund të përfitojë nga votat e diasporës, por ky skenar duket i vështirë të ndodhë. 11 maji mund të sjellë surpriza me futjen në parlament të partive të reja, por sukses do të quhej nëse ato formojnë një grup parlamentar. m.p.