Last Updated on 14/05/2026 by EL
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, e cilësoi sot në Kuvend si një tallje projekt-rezolutën për Europën, duke akuzuar mazhorancën se po e përdor integrimin europian si fasadë, ndërkohë që në praktikë vazhdon të mbrojë korrupsionin dhe zyrtarët e lartë të akuzuar.
Shehaj ndaloi veçanërisht te mungesa e emrit të Belinda Ballukut në projekt-rezolutë, duke thënë se ky është treguesi më i qartë i hipokrizisë së mazhorancës. Sipas tij, nuk mund të flitet seriozisht për Europën dhe integrimin, ndërsa mbrohet një zyrtare e lartë për të cilën, sipas SPAK-ut, duhet të ishte kërkuar arresti. Për Shehajn, fakti që një zëvendëskryeministre e akuzuar nuk jep dorëheqjen dhe madje mbrohet politikisht, është provë se Shqipëria mbetet larg standardeve të Bashkimit Europian.
Në fjalën e tij, Shehaj deklaroi se qytetarët shqiptarë nuk kërkojnë vetëm që zyrtarët e korruptuar të përballen me drejtësinë, por kërkojnë edhe kthimin e parave të vjedhura nga aferat korruptive. Ai përmendi inceneratorin, tunelin e Llogarasë dhe aeroportin e Vlorës si shembuj të abuzimit me fondet publike, duke theksuar se një ditë përgjegjësit do të japin llogari.
“Ju ka kaluar ndonjëherë nëpër mend që qytetarët shqiptarë nuk duan thjesht juve para drejtësisë? Duan paratë. Taulant, mos ik. Duan paratë, Taulant.
Paratë e inceneratorit, kur do t’i ktheni? Paratë e tunelit të Llogarasë kur do t’i ktheni? E aeroportit të Vlorës kur do t’i ktheni? Duhet t’ia ktheni paratë qytetarëve, Taulant, se një ditë do të jepni llogari. Lërini këto!
Po nuk mund të hyhet në Europë kur mbrohet dikush që SPAK-u thotë që duhet të jetë në arrest.
Në këtë projekt-rezolutë mungon një emër. Keni bërë një projekt-rezolutë për Europën, për të treguar sesa e doni Europën. Këtu mungon emri i Belinda Ballukut. Belinda Balluku është problemi kryesor pse ne nuk jemi në Bashkimin Europian, pse e zgjasim procesin e integrimit europian.
Imagjinoni, keni parë ju që një vend i BE-së, jo të mbrojë zv.kryeministren e cila duhet të arrestohet sipas SPAK-ut? Por keni parë, e imagjinoni dot, një vend të BE-së apo një vend që dëshiron të bëhet pjesë e BE-së, ku zv.kryeministrja akuzohet, ngrihet një akuzë dhe ajo nuk jep dorëheqjen? E keni parë?
E mendoni që mund të ndodhë një gjë e tillë në një vend të BE-së?
Kjo është tallje. Ky projekt-rezolutë është thjesht një tallje. Është një formalitet, thjesht për të kaluar radhën, sepse në fakt ju doni të mbroni të korruptuarit. Se ju mbroni veten tuaj!” – deklaroi Agron Shehaj në Kuvend./et
