Nga Leonard Veizi
Çfarë përfaqëson 14 shkurti?
Varet në çfarë këndvështrimi e sheh, në fakt. Sepse, si gjithçka në këtë botë, ke mundësi ta shohësh nga pika të ndryshme vrojtimi. Për shumëkënd kjo datë ka lidhje me të dashuruarit. Dhe, në njëfarë mënyre, ka të bëjë me ahengun.
Sepse është një motiv më shumë për të bërë xhiro rrugëve me ndonjë tullumbace të kuqe në dorë e për të ngrënë ndonjë ëmbëlsirë me sherbet, me bindjen ekstreme se do t’i shpenzosh kaloritë e tepërta që depozitohen në trup. Për tregtarët e shitësit ambulantë është një ditë ku mund të shesin sapunin për djathë, të heqin ndonjë stok nga vitrina, ku, përveç luleve e çokollatave që ecin me shumicë, marrin vlerë edhe të brendshmet e kuqe që shiten me tepri.
Ec aty t’u bëfsha!
14 shkurti, prej shumë vitesh tanimë, përkujtohet si Dita e Dashuruarve. Si një ditë e dashurisë dhe romantizmit, ku njerëzit shprehin dashurinë dhe ndjenjat ndaj njëri-tjetrit, shpesh të përshkruara me dhurata dhe kartolina të posaçme.
Sipas historisë, kjo traditë ka të ngjarë të ketë origjinë nga legjenda e Shën Valentinit, një prift që ka jetuar në periudhën mes lashtësisë e mesjetës, i cili thuhet se lidhte martesa midis çifteve, por që u masakrua e vdiq më 14 shkurt.
Mirëpo legjenda thotë se ishin dy Valentinë dhe të dy kanë vdekur në kohë të ndryshme, por në të njëjtën datë, 14 shkurt. Dhe janë Valentini i Romës dhe Valentini i Ternit. Valentini, apo Valentinët, u kthyen në martirë, ndërsa data “14 shkurt” mbeti për të gjallët.
Për ca të tjerë, një ditë dashurie në tërësinë e kuptimit të saj. Dashuria është një ndjenjë e thellë dhe komplekse që lidhet me lidhje emocionale, respekt reciprok dhe përkushtim ndaj njëri-tjetrit. Ajo mund të sjellë lumturi dhe përparim personal, ndërkohë që kërkon kujdes dhe komunikim të vazhdueshëm. Në libra thuhet se: dashuria është ndjenja e ngrohtë dhe e thellë ndaj një personi, e shoqëruar me ndihmë dhe kujdes. Përshkruhet shpesh si lidhja më e fuqishme dhe e ndjeshme mes individëve. Ajo përfshin respektin, besimin dhe përkushtimin reciprok.
Kjo merr kuptim më filozofik, në fakt. Ndërsa njerëzit, në përgjithësi, duan gjëra më të thjeshta e praktike. Pra, 14 shkurti është një festë për çiftet. Ndaj hani e pini… kusur mos lini.
Por, për një pjesë njerëzish, nuk ka vlerë fare. Kështu që këta të fundit janë të lirë të bëjnë jetën e tyre si të duan. Mund ta përdhosin ditën, edhe pse një tjetër e feston. Në fund të fundit, halli yt nuk është halli im. Për më tepër, qejfi yt as që bëhet fjalë që është edhe qejfi im.
Tani fjalën e kam për ata që besojnë te magjia e një dite të tillë.
Sepse po ndodh rëndom që një çift, ku burri, i dashuri a partneri, quajeni si të doni, e rreh gruan sa herë që i teket. Dhe e rreh më shumë sesa bën seks me të. Mirëpo, më 14 shkurt, çifti i shembur nga druri shkëmben puthje që në pikë të mëngjesit, pastaj i bëjnë dhurata simbolike njëri-tjetrit dhe darkën e mbyllin me një ëmbëlsirë nën dritën e qirinjve.
Oh, sa romantike…
…dhe sa hipokrite njëherazi.
Çfarë fshihet pas zambakëve të bardhë apo pas çokollatave të ëmbla?
Sepse dita e festës është vetëm një si e tillë. Të nesërmen, dita lind sërish e zymtë, edhe pse jashtë mund të të verbojë dielli. Sherret vazhdojnë atje ku u lanë, dhuna hipën në qafë dhe xhelozitë e dyshimet për tradhti mbeten të hapura. Ndaj këto sjellin edhe probleme pa fund, sidomos në atë që futet te kategoria: dhuna në familje.
Jo më kot, edicionet e lajmeve janë të mbushura me kronika bullizmi e kërcënimesh, vrasjesh e vetëvrasjesh… ca me patologji psikike të shprehura e ca të tjerë me patologji të pashfaqura. Dhe shumica e këtyre krimeve etiketohen nën logon: krim nga pasioni.
