Nga Ylli Manjani
Me fillimin e garës për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, debati pritet të përqendrohet te emrat.
Mbetem besnik i idesë se më i rëndësishëm se emrat është parimi mbi të cilin duhet të ndërtohet kjo zgjedhje.Sepse njerëzit ndryshojnë. Parimet mbeten.
Duhet të pranojmë se pas reformës në drejtësi të vitit 2016, organizimi dhe funksionimi i shërbimit të prokurorisë ndryshuan rrënjësisht. Sot kemi një prokurori shumë më të decentralizuar, si në aspektin hierarkik, ashtu edhe në ushtrimin e kompetencave.
Personalisht nuk kam qenë dhe nuk jam dakord me këtë model. Kam besuar dhe vazhdoj të besoj se për natyrën e ndjekjes penale, një nivel më i fortë drejtimi dhe përgjegjësie institucionale do t’i shërbente më mirë interesit publik.
Por kjo është arkitektura që kemi sot.
Problemi është se decentralizimi nuk solli vetëm më shumë pavarësi. Ai solli edhe më pak llogaridhënie. Në shumë raste ai ka ushqyer protagonizmin individual të prokurorëve, të cilët, të mbështetur edhe nga narrativa politike e populiste e pandëshkueshmërisë, ndihen të autorizuar të ndërmarrin çdo veprim në emër të ndjekjes penale, pa pasur një mekanizëm efektiv kontrolli profesional.
Nëse sot bëhet një debat serioz mbi përdorimin e tepruar të paraburgimit, mbi nisjen e procedimeve penale të pambështetura ose mbi zgjatjen pa fund të hetimeve, hallka kryesore ku duhet kërkuar përgjegjësia është pikërisht mungesa e kontrollit efektiv mbi punën e përditshme të prokurorit.
Në këtë model njerëzit bëhen statistikë thjesht për hesap të CV-së së prokurorit. Kjo është pasoja më e dhimbshme e sistemit.
Madje, ky model ka prodhuar një fenomen edhe më shqetësues: dobësimin praktik të rolit të gjykatës.
Mjafton të shihen statistikat e pranimit të kërkesave të prokurorisë. Përqindja afrohet me 100 për qind. Kur kjo ndodh në mënyrë sistematike, lind natyrshëm pyetja nëse kemi ende një gjykim real mbi masat dhe kërkesat e prokurorisë, apo një formalizim pothuajse automatik të tyre.
Statistikisht dhe logjikisht, kjo e zbeh funksionin kontrollues të gjykatës dhe krijon perceptimin se ajo po vepron më shumë si noter i kërkesave të prokurorit sesa si garant i lirive dhe të drejtave të qytetarëve.
Kjo është situata.
Pyetja që shtrohet është shumë e thjeshtë: kujt i jep llogari prokurori?
Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për shkak të vetë natyrës së tij, nuk mund ta ndjekë nga afër punën e përditshme të çdo prokurori. Ai nuk është në zyrë me ta, nuk merr pjesë në analizën e dosjeve, nuk vlerëson mënyrën se si ushtrohet diskrecioni profesional.
Për këtë arsye, edhe sistemi aktual i vlerësimit mbetet kryesisht mekanik. Numërohen çështjet, maten statistikat, por nuk matet cilësia reale e punës. Dhe kur gjykatat pranojnë pothuajse çdo kërkesë të prokurorisë, atëherë edhe ky kriter statistikor humbet shumë nga kuptimi i tij.
Nga ana tjetër, është e vështirë të pranohet, qoftë edhe me benefitin e dyshimit të arsyeshëm, ideja se prokurorët qenkan zyrtarët më të pagabueshëm të këtij shteti.
Atëherë çfarë duhet bërë?
Nëse gjykata nuk arrin të ushtrojë kontroll efektiv, nëse drejtuesit nuk ndikojnë realisht në funksionimin e prokurorive dhe nëse KLP nuk ka mundësi të bëjë një vlerësim të plotë të punës së përditshme, atëherë duhet të fillojmë nga hallka më e rëndësishme: drejtimi.
Shërbimi i prokurorisë ka nevojë për drejtues të vërtetë.
Jo thjesht për prokurorë të mirë.
Janë dy gjëra krejt të ndryshme.
Mund të jesh një prokuror shumë i aftë në hetime dhe një drejtues i dobët. Ashtu siç mund të jesh një profesionist i shkëlqyer, por të mos dish të organizosh një institucion, të ndërtosh frymë bashkëpunimi, të menaxhosh konfliktet apo të mbash përgjegjësi për punën e ekipit.
Prokuroria duhet të funksionojë si një klinikë universitare.
Brenda saj mund të ketë mjekë shumë të zotë, secili me autonominë e vet profesionale. Por mbi të gjithë është primari, një profesionist me eksperiencë dhe autoritet, që organizon punën, vendos standardet dhe mban përgjegjësi për funksionimin e gjithë klinikës.
Kështu duhet të jetë edhe Prokurori i Përgjithshëm.
Jo një figurë ceremoniale që administron dokumente dhe firmos procedura, por drejtuesi që krijon kulturën profesionale të institucionit, disiplinon standardet, identifikon devijimet dhe vlerëson realisht punën e çdo strukture të prokurorisë.
Vetëm ai mund të bëjë atë vlerësim cilësor që një organ i jashtëm nuk mund ta realizojë dot.
Prandaj, sugjerimi im për Këshillin e Lartë të Prokurorisë është të dalë nga klishetë me të cilat zakonisht zhvillohen këto gara.
Mos u ndalni vetëm te pyetja: sa çështje ka hetuar një kandidat? Sa arrestime ka kërkuar? Sa dosje ka përfunduar?
Këto mund të jenë tregues të një prokurori. Por nuk mjaftojnë për të zgjedhur një drejtues.
Pyetja vendimtare duhet të jetë krejt tjetër:
A di ky njeri të drejtojë?
A ka aftësi të organizojë njerëzit?
A krijon autoritet profesional pa imponim?
A di të ndërtojë standarde pune?
A di të mbajë përgjegjësi institucionale?
Sepse drejtues nuk bëhet ai që ka shkruar më shumë akte procedurale.
Drejtues bëhet ai që di t’u japë drejtim njerëzve dhe institucionit.
Nëse këtë aftësi e ka të lindur, aq më mirë. Nëse nuk e ka të lindur, të paktën ta ketë fituar përmes një eksperience të gjatë dhe të provuar në drejtim.
E di që ky sugjerim kërkon edhe një KLP më vizionare, më kërkuese dhe më të orientuar drejt funksionimit të mirë të shërbimit të prokurorisë, sesa thjesht drejt administrimit të procedurave të emërimit.
Por, nëse duam një prokurori që të fitojë besimin e publikut, ndoshta ka ardhur koha të kuptojmë se në krye të saj nuk mjafton të vendosësh një prokuror të mirë.
Duhet të vendosësh një drejtues të mirë./kb
