Last Updated on 06/09/2026 by EL
Gjykata ka caktuar masat e sigurisë për pesë personat e arrestuar në lidhje me konfliktin e ndodhur në ambientet e resortit “Regina Palm” në Radhimë, ngjarje për të cilën Policia e Vlorës ka referuar një sërë veprash penale.
Për Angjelo Breshanin është vendosur masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa për biznesmenin Luan Muça gjykata ka caktuar masën “detyrim paraqitjeje”.
Ndërkohë, për tre të arrestuarit e tjerë, Blerim Hetën, Klaudjo Lleshajn dhe Mandrit Lleshajn, është caktuar masa më e rëndë “arrest në burg”.
Ngjarja në “Regina Palm” u bë objekt i një hetimi të gjerë pas konfliktit të ndodhur në resort, ku sipas të dhënave të bëra publike nga Policia e Vlorës, biznesmeni Vasil Bedinaj dyshohet se është dhunuar dhe kërcënuar, ndërsa ndaj tij është vendosur një gjobë prej 5 milionë eurosh.
Sipas dëshmive dhe veprimeve hetimore të policisë, Luan Muça, së bashku me persona të tjerë, kishte shkuar në ambientet e hotelit në pronësi të Bedinajt, ku dyshohet se nën kërcënimin e armëve dhe dhunës fizike i është kërkuar shuma prej 5 milionë eurosh si dhe është kërcënuar se duhej të largohej nga Shqipëria brenda 48 orësh.
Në lidhje me të njëjtën ngjarje, policia ka bërë me dije se Angjelo Breshani dyshohet se ka marrë një armë zjarri të poseduar me leje nga automjeti i Vasil Bedinajt dhe ka qëlluar në drejtim të automjeteve të personave të pranishëm në vendngjarje.
Përveç pesë personave ndaj të cilëve tashmë janë caktuar masat e sigurisë, autoritetet kanë shpallur në kërkim edhe 10 persona të tjerë, mes tyre Bujar Muçën, Edison Zallën, Serxhio Canin, Rei Degjonin, Renato Kodrën, Klej Docin, Arjan Dodën, Marjos Ramosacoj si dhe efektivët e Policisë Ushtarake Altin Grori dhe Fatjon Maknori./et
