Në skenën e Teatrit “Skampa” në Elbasan u shfaq premierë shfaqja “O sa mirë me qen shqiptar!”, e shkruar dhe interpretuar nga aktori dhe humoristi Edi Oga.
Me batuta të mprehta dhe humor plot ritëm, Oga sjell një pasqyrë satirike të jetës së shqiptarëve, nga e kaluara në të sotmen, nga veriu në jug, duke vënë në lojë me finesë sjelljet, zakonet dhe mënyrën e të menduarit tonë.
“Ndjehem mirë sepse publiku i Elbasanit është publiku im, është publik i zgjedhur, i kultivuar. Unë e filloj gjithmonë nga Elbasani, nga qyteti im. Ndoshta ishte edhe tematika që kisha zgjedhur, ‘O sa mirë me qen shqiptar’, ku unë marr në analizë veçoritë e shqiptarëve – të mirat, të këqijat, çfarë bën e çfarë mendon një shqiptar i vogël apo i pasur, i varfër”, u shpreh Edi Oga, aktor.
Reagimi i publikut ishte entuziast, me të qeshura dhe duartrokitje të shumta gjatë gjithë shfaqjes.
“Mesa duket i gjetëm telat e publikut, ata e gjejnë veten në rrëfimet e mia, sepse vërtetë u ndjeva i duartrokitur dhe i ndjekur mbi të gjitha. Nuk e di pse, por Elbasani gjithmonë më ka lënë këtë shije shumë të mirë”, shtoi aktori humorist.
Pas suksesit të premierës në Elbasan, shfaqja “O sa mirë me qen shqiptar!” pritet të udhëtojë edhe në qytete të tjera të vendit. m.p.
