Last Updated on 05/05/2026 by Anisa
Nga Perparim Gjeka
Leo Messi kishte deklaruar qartë se nuk do të transferohej kurrë në asnjë ekip tjetër, qoftë edhe pa rrogë, vetëm në shenjë mirënjohjeje për besimin dhe investimin që kishte pasur klubi në fillimet e tij, por edhe për mirënjohjen ndaj sportdashësve të shumtë të Barçës brenda dhe jashtë Spanjës. E vërteta e shitjes së tij pra nuk ishte gjendja financiare e klubit, nuk ishte çështje parash siç u shit në publik. Messi i kishte bërë paratë e tij, klubi mund ta mbante me rrogën sa të një lojtari tjetër.
Problemi nuk ishte as performanca sportive e Messit, e cila në fakt ishte në fazë pjekurie kur Barcelona mund t’i merrte akoma shumë, ashtu si i mori Argjentina maksimalen e mundshme me Kupën e Botës pas dy vjetësh. Nuk ishte problem besoj as kohezioni apo marrëdhëniet brenda ekipit. Në atë fazë askujt nga lojtarët nuk i shkonte në mendje të kontestonte Messin si lider në fushë e jashtë saj. Edhe lojtari më zevzek, Ibrahimoviç, i ishte falur publikisht Messit si lojtar dhe si njeri.
Por paradoksalisht, të tria këto pika të forta të Messit u bënë edhe shkaku i dëbimit të tij.
Messi ishte bërë i pavarur financiarisht, nuk mund as ta joshje nga jashtë, as ta shantazhoje nga brenda. Ai ishte i pazëvendësueshëm në fushë, asnjë trajner nuk mund të guxonte të mos e fuste në lojë apo ta zëvendësonte kur performanca e tij sportive ishte gjithmonë konstante e shkëlqyer dhe ekipi fitonte thuajse çdo ndeshje.
Nga ana tjetër, Messi ka treguar karakter të formuar e të moralshëm jo vetëm si individ, por edhe ka qenë i pakorruptueshëm në marrëdhënie me shokët, klubin, tifozët dhe prestigjin e tij dhe të klubit. Me të në fushë, ai kuptonte dhe nuhaste çdo lëvizje, asnjë ndeshje nuk mund të humbej me “urdhër peshku” për efekt bastesh. Një GOAT deri në God për të gjithë, që sa më shumë qëndronte te Barça aq më shumë vlerësohej, e aq më shumë zhvlerësohej roli i presidentit, i trajnerit, i klubit. Vetë Guardiola ka thënë se ai nuk trajnoi Messin, por mori trajnim nga Messi. Sa më shumë shkëlqente, aq më shumë digjte plane të pakonsultuara me të. Fakti që ka qenë dëshira e presidentit të klubit për dëbimin e tij, e përforcon edhe deklarata e Çavit si trajner kur kishte propozuar të rikthehej Messi dhe presidenti kishte refuzuar.
*
Në historinë politike të partive shqiptare nuk njihet rotacioni normal me projekt politik dhe konkurrim idesh në lidership. Ka raste me dhurim, Godo te Mediu, me detyrim dhe blerje nga Nano te Rama, dhe me dhurim plus detyrim dhe blerje në rastin Berisha-Basha-Berisha.
Edhe në Partinë Demokratike të sotme, në garën për kryetar, problemi kryesor nuk është pse nuk u lejua të kandidonte një outsider si Kokalari, person lehtësisht i atakueshëm politikisht si Salianji, apo një aspirante e paprovuar në beteja të gjata politike si Alesia, por se nga brenda strukturës politike, si qëllim natyral i karrierës politike, nuk ka ose nuk guxuan të kandidojnë figura të kryesisë si Boçi, Alizoti, Tabaku.
E dimë që partitë politike shqiptare kanë njësha të fortë, por nuk e dimë se pse nuk kanë dysha të fortë. Për ta gjetur këtë na shërben të lexojmë edhe një herë pjesën e parë të shkrimit me shembullin e Leo Messit. Presidenti i klubit rrezikon të mos fitojë pa Messin, more le të mos fitojë tituj, mjafton që tifozët të festojnë çdo ndeshje që fitohet e çdo fitore t’i dedikohet Atij. Vetëm Ai të jetë i lirë të vendosë se kur fitohet dhe kur shitet ndeshja. More le të mos vijmë kurrë në pushtet, por pushtetin e opozitës ta kemi të plotë, të vendosim kur e si e me çfarë çmimi e shesim… besimin, shpresën, vuajtjet, gjakun dhe të ardhmen e elektoratit, të vendit.
Harrojeni, nuk ka asnjë Messi në gjirin e partive politike shqiptare, ata intelektualë me stofin për të shkëlqyer janë eliminuar me kohë, sepse politika në radhë të parë kërkon karakter, dhe njerëzit me karakter e kanë treguar atë me kohë, që kur ishin në forumin rinor, qekur mezi arritën të futen në struktura partiake me ndonjë post të vogël, por u kuptuan shpejt që nuk dinë apo nuk duan të servilosen, nuk dinë apo nuk duan të vjedhin e të ndajnë me ata lart, nuk dinë të sulmojnë pa shkak kundërshtarët vetëm për grupazhe politike. Nuk ka fenomen Messi në politikën shqiptare sepse intelektualet me vlera karakteri ka vite që nuk janë lejuar të luajnë në formacionin e parë e të shkëlqejnë deri në atë pikë sa të mos ketë mundësi askush t’i ndalojë.
Shpresoj se ky shkrim i ka bërë të gjithë ata që shpresojnë në reformimin e partive politike aktuale, të mëdha e të vogla si parti-kryetar, të shikojnë mundësinë të grupohen në një formacion tjetër me rregulla si ato të futbollit: klubi fiton jo nga presidenti, por nga 11 lojtarët e fushës, të cilët janë barabar të rëndësishëm. Duke luajtur do të kuptohet se kush është ylli i skuadrës dhe kapiteni, dhe jo ai që cakton presidenti apo trajneri.
