Një pjesë e shkallëve origjinale të Kullës Eiffel në Paris është shitur në ankand për vlerën e 450 mije e 160 urosh sipas asaj që ka zbuluar Shtëpia Franceze e Ankandeve Artcurial.
Segmenti i shkallës, me lartësi 2.75 metra, vjen nga shkalla spirale origjinale e monumentit të njohur si “Zonja e Hekurt”, e ndërtuar në vitin 1889 dhe që dikur lidhte katin e dytë me katin e tretë të kullës së famshme pariziene.
Pjesa ishte ruajtur për më shumë se 40 vite në një koleksion privat dhe vlera e saj ishte parashikuar fillimisht mes 120 mijë dhe 150 mijë eurove, por çmimi final i shitjes rezultoi shumë më i lartë.
Nuk është hera e parë që pjesë të shkallëve të Kulla Eiffel dalin në ankand. Në vitin 2016, një tjetër segment i nxjerrë në shitje nga i njëjti organizator u shit për 523.800 euro. Rekordi absolut është regjistruar në vitin 2008 nga Sotheby’s, ku një blerës amerikan pagoi 552.750 euro për një pjesë të ngjashme të shkallëve historike.
Shkalla origjinale e kullës u çmontua në vitin 1983, pasi instalimi i një ashensori mes dy kateve të fundit të monumentit kërkoi heqjen dhe prerjen e saj në 24 segmente të ndryshme. Sipas Artcurial, vetëm pak prej këtyre pjesëve kanë mbetur në Francë dhe vazhdojnë të jenë në pronësi të blerësve fillestarë të asaj kohe.
Me lartësi 324 metra, Kulla Eiffel konsiderohet një nga simbolet më të njohura të Francës dhe tërheq miliona vizitorë çdo vit. Monumenti u projektua dhe u ndërtua nga inxhinieri francez Gustave Eiffel për Ekspozitën Botërore të vitit 1889 në Paris./mxh
