Vanessa Trump ka ndarë publikisht një moment të vështirë nga jeta e saj personale, duke zbuluar se po përballet me kancer gjiri.
48-vjeçarja, e njohur si ish-bashkëshortja e Donald Trump Jr., njoftoi lajmin përmes një postimi emocional në Instagram, ku tregoi se tashmë ka filluar trajtimin dhe po bashkëpunon me mjekët për hapat e mëtejshëm.
Në rrëfimin e saj, Vanessa tregoi gjithashtu se i është nënshtruar një operacioni ditët e fundit, ndërsa theksoi se po përpiqet ta kalojë këtë sfidë me forcë dhe pozitivitet.
“Edhe pse është një diagnozë e vështirë për t’u pranuar, kam besim te ekipi im mjekësor dhe po e përballoj gjithçka me shpresë”, shkroi ajo mes të tjerash.
Ajo falënderoi familjen dhe njerëzit e afërt për mbështetjen që po i japin gjatë kësaj periudhe, duke theksuar se dashuria e tyre po i jep forcë.
Pas deklaratës së saj, reagimet në rrjetet sociale kanë qenë të shumta. Ivanka Trump i dërgoi mesazhe inkurajuese publikisht, ndërsa vajza e Vanessa-s, Kai, publikoi një foto me të ëmën duke e quajtur “gruan më të fortë” që njeh./mxh
