Last Updated on 02/10/2025 by adminfjala
Autizmi nuk duhet parë si një gjendje me një shkak të vetëm, sipas shkencëtarëve që zbuluan se individët e diagnostikuar që në fëmijëri kanë një profil gjenetik të ndryshëm nga ata që diagnostikohen më vonë.
Një studim ndërkombëtar, i bazuar në të dhëna gjenetike nga më shumë se 45,000 persona autikë në Evropë dhe SHBA, tregoi se ata që diagnostikohen në fëmijëri të hershme, zakonisht para moshës 6-vjeçare, kanë më shumë gjasa të shfaqin vështirësi në sjellje që nga fëmijëria, përfshirë probleme me ndërveprimin social, por që mbeten të qëndrueshme gjatë kohës.
Ndërsa ata që diagnostikohen me autizëmmë vonë, zakonisht pas moshës 10 vjeç, kanë më shumë mundësi të përjetojnë vështirësi gjithnjë e në rritje në aspektet sociale dhe të sjelljes gjatë adoleshencës, dhe gjithashtu kanë një mundësi më të madhe për të zhvilluar kushte të shëndetit mendor, si depresioni.
“Termi ‘autizëm’ përfaqëson shumë kushte të ndryshme. Për herë të parë, ne zbuluam se autizmi i diagnostikuar herët dhe ai i diagnostikuar më vonë kanë profile të ndryshme biologjike dhe zhvillimore”, tha Dr. Varun Warrier nga departamenti i psikiatrisë në Universitetin e Kembrixhit, i cili është autori kryesor i kërkimit.
Shkencëtarët nuk po sugjerojnë që të krijohen dy kategori diagnostikuese, pasi kjo mund të ishte jo e dobishme për ata që janë diku në mes.
“Ka edhe shumë faktorë të tjerë që ndikojnë në moshën e diagnostikimit, prandaj çdo përpjekje për të kaluar nga mesatarjet në diçka që është e aplikueshme për individët mund të krijojë një ekuivalencë të gabuar”, shtoi Warrier./kb
