Last Updated on 23/09/2026 by EL
Shpenzimet e bashkive u rritën me ritme të forta gjatë vitit 2025, por pjesa më e madhe e parave vazhdon të përdoret për paga dhe funksionimin e përditshëm, ndërsa vetëm rreth një e pesta shkon për investime. Sipas raportit “Qeverisja Vendore në Shqipëri 2025” të Institutit për Bashkitë e Shqipërisë, 61 bashkitë shpenzuan rreth 87.1 miliardë lekë, ose rreth 13 miliardë lekë më shumë se në 2024, një rritje prej 17.6%.
Nga totali prej 87.13 miliardë lekësh, shpenzimet kapitale arritën në 18.56 miliardë lekë, ose vetëm 21.3%. Ndërkohë, pagat dhe sigurimet përbënin 45.6% të shpenzimeve dhe shpenzimet operative 25.3%. Raporti vëren se buxhetet vendore mbeten të dominuara nga shpenzimet korrente dhe se hapësira për investime kapitale është relativisht e kufizuar.
Rritja e shpenzimeve është ushqyer edhe nga faturat më të larta të personelit. Shpenzimet për paga dhe sigurime u rritën me 17.7%, çka raporti e lidh me politikën e pagave të zbatuar gjatë viteve 2023-2024 dhe me shtimin e numrit të punonjësve në administratën vendore.
Në fund të vitit 2025, bashkitë kishin gjithsej 39,910 punonjës, ose 1,038 më shumë se një vit më parë. Në 45 nga 61 bashki numri i punonjësve u rrit. Shtimin më të madh e regjistroi Kamza me 237 punonjës, e ndjekur nga Fieri me 153 dhe Shkodra me 65. Në krahun tjetër, Tirana kishte 68 punonjës më pak, Cërriku 29 më pak, Puka 20 dhe Vlora 16 më pak./et
