Last Updated on 07/09/2025 by adminfjala
Numri i bizneseve në qarqet e vendit po ndjek zhvillimet e popullsisë. Bizneset e tregtisë u tkurrën në të gjitha qarqet, përveç Durrësit dhe Tiranës në vitin 2024 në krahasim me 2023. Sektori i industrisë po zhvendoset nga qytetet e mëdha në kërkim të kostove të lira, ndërsa bumi turistik nuk e rriti numrin e bizneseve të hoteleve dhe restoranteve të cilat ishin më të pakta se në 2023. Si po i rrit pabarazitë rajonale përqendrimi i ekonomisë dhe popullsisë në Tiranë-Durrës dhe sfidat me të cilat po përballet infrastruktura, shërbimet publike dhe cilësia e jetës.
E parë nga larg, fotografia e ekonomisë shqiptare duket tërheqëse me hotele dhe kulla luksoze, vizitorë nga të gjitha anët e botës.
Por një vështrim më i detajuar nxjerr një realitet ku pjesa tjetër e vendit, përveç Tiranës dhe Durrësit, po përballet me tkurrje të ekonomisë dhe bizneseve kryesisht si pasojë e rënies së popullsisë.
Vit pas viti, ekonomia dhe popullsia po përqendrohet në rajonin Tiranë-Durrës, duke rritur më tej sfidat për shërbimet komunitare.
Të njëjtin trend po ndjekin edhe bizneset të cilat po rriten vetëm në Rajonin e Qendrës dhe në disa zona turistike, ndërsa shumica e qarqeve tkurret në banorë dhe biznese.
Vitin e kaluar, numri i bizneseve aktive në të gjithë vendin arriti në mbi 132 mijë, me rritje 1.5% në krahasim me vitin 2023, por në 6 qarqe, kryesisht në ato të veriut, numri i tyre ishte në rënie. 47.8% e bizneseve aktive ishin në Qarkun e Tiranës në vitin 2024 nga 47.2% në vitin 2023.
Urbanisti Gent Kaprata mendon se përqendrimi i popullsisë dhe ekonomisë në Tiranë-Durrës ka nxitur zhvillim më të shpejtë në këtë rajon, por kjo gjithashtu ka krijuar pabarazi të zhvillimit territorial.
Mungesa e politikave për zhvillim të balancuar me investime në qarqet e tjera është kthyer në pengesë për zhvillim të qëndrueshëm kombëtar, duke zbrazur zonat e tjera dhe duke përkeqësuar sfidat urbane, tha ai.
Nga ana tjetër, gjatë 2025, Shqipëria ka vijuar të përballet me rënie të popullsisë në të gjitha qarqet e vendit. Numri i bizneseve në disa qarqe ka ndjekur numrin e popullsisë.
P.sh. popullsia e Korçës u tkurr me 2.1% në vitin 2024 në krahasim me 2023, teksa numri i bizneseve në këtë qark në të njëjtën periudhë ra me 2.4%.
Gjithashtu në Qarqet e Elbasanit, Dibrës, Beratit, Kukësit, rënia e bizneseve është në raport të drejtë me popullsinë.
Në disa qarqe ku turizmi është në rritje të vazhdueshme, të tilla si Durrësi, Gjirokastra, Shkodra dhe Vlora, edhe pse popullsia është në rënie, numri i bizneseve ishte në rritje në vitin 2024.
Rritja bizneseve në qarqet ku ka rënie të popullsisë ka shtuar sfidat e bizneseve për gjetjen e punonjësve.
Të dhënat tregojnë një ndarje gjithnjë e më të theksuar midis qarqeve që arrijnë të ruajnë dinamizmin ekonomik përkundër rënies demografike dhe atyre që po përballen me një tkurrje të dyfishtë të popullsisë dhe aktivitetit ekonomik.
Përqendrimi i popullsisë dhe ekonomisë në rajonin Tiranë-Durrës ka ndikime të thella dhe të shumanshme për zhvillimin e Shqipërisë.
Ky rajon tashmë përbën një zonë metropolitane, ku përqendrohen mbi një e treta e popullsisë së vendit dhe një pjesë edhe më e madhe e aktiviteteve ekonomike dhe investimeve. m.p.
