Last Updated on 15/09/2026 by Klara
Ministri i Mbrojtjes, Nufi, zhvilloi një takim me Zëvendësministrin Parlamentar në Ministrinë e Mbrojtjes të Japonisë, z. Yohei Wakabayashi, ku në fokus ishin zhvillimet ndërkombëtare dhe rajonale të sigurisë, si dhe forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Japonisë.
Gjatë takimit, ministri Nufi vlerësoi Japoninë si një partner të rëndësishëm dhe shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Bashkëpunimi i ardhshëm pritet të fokusohet në shkëmbimin e ekspertizës, forcimin e kontakteve ndërmjet institucioneve dhe Forcave të Armatosura të dy vendeve, si dhe zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta.
Në diskutim u veçuan edhe fusha me interes të përbashkët, nga asistenca humanitare dhe angazhimi në operacionet në mbështetje të paqes, deri te forcimi i qëndrueshmërisë përballë kërcënimeve dhe sfidave të reja të sigurisë.
Ministri Nufi theksoi se Shqipëria dhe Japonia ndajnë një interes të përbashkët për forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit.
“Synimi ynë është i qartë: të ndërtojmë ura të reja bashkëpunimi dhe një partneritet gjithnjë e më të fortë mes Shqipërisë dhe Japonisë”, u shpreh ministri Nufi.
Takimi vjen në kuadër të përpjekjeve për të thelluar marrëdhëniet dypalëshe dhe për të identifikuar mundësi të reja bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë./k.m








