Kreu i grupit të PS, Taulant Balla në fjalën e tij në seancën parlamentare ka kërkuar që Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”, të kalojë me procedurë të përshpejtuar për rëndësinë që mbart kjo nismë.
Balla e konsideroi ftesën e Trump për Shqipërinë, historike dhe se konfirmon forcën dhe besimin e ndërsjellë në partneritetin strategjik të Shqipërisë me SHBA.
“Kuvendi thirret për të marrë një vendim për një ftesë të veçantë politike dhe historike që shkon përtej rendit të zakonshëm.
Kjo ftesë nuk është diçka e zakonshme. Në letrën zyrtare presidenti Trump e cilëson këtë nismë si përpjekje historike dhe madhore duke theksuar nevojën për një qasje të re.
Prandaj kolegë e kolege Bordi i Paqes sipas kartës që do shqyrtojmë në komision dhe më pas në seancë është organizmi i duhur ndërkombëtar që synon stabilitetin që na duhet për rivendosjen e paqes dhe qeverisjes së ligjshme.
Ministrja e Jashtme do bëjë prezantimin e plotë të kësaj karte. Të marrim në konsideratë nevojën për procedim të përshpejtuar.
Kjo ftesë konfirmon forcën dhe besimin e ndërsjellë në partneritetin strategjik të Shqipërisë me SHBA”, tha Balla./K.M
