Last Updated on 25/02/2026 by Leonard
Nga Leonard Olli

Sikur të endej në ditët tona rrugëve të Tiranës, Diogjeni, normalisht, do të habitej me modernizmin e epokës sonë, fasada të kuruara, konferenca qeveritare me grafikë të superkuruar dhe 3D marramendëse, deklaratat për “zero tolerancë” ndaj korrupsionit, përbetime për arritjen më të madhe, Reformën në Drejtësi, për sistemin shëndetësor falas, për arsimin në nivele me vendet nordike, për rrugët kombëtare dhe lokale në parametra të BE-së, e çfarë nuk do të dëgjonte e shikonte virtualisht i mjeri Diogjen, Por, si zakonisht edhe pse ditë, fenerin e tij mitik nuk do ta lëshonte nga dora.
Jo sepse dielli nuk ndriçon si gjithmonë mbi këtë vend, jo sepse mungon energjia, jo sepse mungojnë ndriçimet shumëngjyrëshe, por sepse mungon e VËRTETA, mungon Ndershëmira, si nocione të terura krejtësisht.
Dikur, në Athinën e lashtë, ku drita reflektohej fort nga mermerët e prarua, ai kërkonte “një njeri të ndershëm”, kërkonte të Vërtetën. Ndërsa sot, rrugëve të zhurmshme të Tiranës, mes trafikut vrastar, ndoshta do të kërkonte një shtetar të ndershëm. Një shtetar që detyrën ta konsideronte përulësi ndaj e tyre që e paguajnë dhe jo si trofe mundësish dhe akaparimi pushtetesh.
Në teoritë e politologjisë dhe sociologjisë, të shërbyerit publikut trajtohet si forma më e lartë kontribuuese për shoqërinë dhe vendin tënd, por realiteti shqiptar, i cili falë këtij soji shtetari, është shndërruar në arenë përfitim të paskrupullt personal, pasojë e sistemit korruptiv të instaluar në qelizë.
Tenderët janë të publikë, por të paracaktuar duke e ngritur lart e më lar flamujt e kuq të shkeljes ligjore. Procedurat dhe kriteret të qepura për klientët e pushtetit, i cili tashmë ka krijuar kompanitë e veta që mos i tretet asnjë qindarkë në duar të huaja. Kontrolli mungon sepse supervizimin e kryejnë po vetë, organet ligjzbatuese janë kthyer në organe dhune në mbrojtje të pushteti ose menxhues të organizatave kriminale dhe drejtësia është shndërruar në regjistrues të shkeljeve, pa i çuar kurrë në bankën e gjykimit fajtorët e vërtetë, por vetëm viktimat fundore të ciklit korruptiv. E mediat si vrojtues indiferente e situatës.
Sa më i korruptuar aq më lart ngjitesh, sa më lart ngjitesh aq më i ashpër kostumi i hipokrizisë dhe arrogancës. Diogjeni do të shikonte se ‘lyerja e qerres’ nuk është një akt ‘ndihmës’, por një moral i sendërtuar për të fshehur makutërinë.
Sistemi i kapur ka sjellë edhe terminologji të reja. Askush nuk thotë e bëra për interes, po për zhvillimin e komunitetit, askush nuk pranon se përfiton, por se optimizon të mirat materiale dhe mundësitë e ofruara.
Dhe bekimi vjen nga maja e piramidës. Kryeministri është gjithçka dhe mbi gjithçka. Madje, urdhëron edhe arrestimin e dikujt se e akuzon për të korruptuar. 3D-të prezantuese janë shndërruar në ndërmarrje 5D, përfituese të çdo qindrake publike.
Nga drejtimi shtetit nga FB, tashmë kemi delegimin e kontrolluar të kompetencave. Institucioni më i më i rëndësishëm i Republikës, Parlamenti, është shndërruar në aneks noterial i çdo vendimi të kryeministrit. Shteti është shndërruar në dhunuesin më të egër të të drejtave kushtetuese dhe grabitësi më i madh i pasurisë private për llogari të klientëve të pushtetit. Tashmë, Monarkia Kryeministrore është sistemi i ri që sundon.
Ky absurditet u është imponuar shqiptarëve si normalitet. Të pafuqishëm të përplasen me çdo strukturë të shtetit, pasi askush nuk garanton mbrojtjen, kanë zgjedhur tërheqjen dhe zemërimin e heshtur. Partia shtet ka bërë kujdes që ky zemërim të mos shkojë direkt drejt saj, por orientohet drejt një luftë civile midis qytetarit dhe institucioneve. Mungojnë ilaçet, njerëzit përplasen me mjekët. Mungon komunikimi me kadastrën, përplasen me muret, betejë çdo ditë më policinë rrugore apo të rendit, sepse ata zbatojnë urdhrat antiligjorë të eprorëve të tyre.
Dhuna shtetërore trajtohet si procedurë legale, frika është kthyer në koracë mbrojtëse, heshtja në ‘mençuri’ mbijetese dhe konformizmi si justifikim ndaj nënshtrimit. Lakmia imponohet si motor zhvillimi, pasurimi shpejtë nuk ngre më hetime e pyetje, por kulla. Suksesi matet me metra katrorë dhe makina luksoze, ndërsa fuqia me mbështetjen që ke nga monarku kryeministër. Morali, kualifikim, meritokracia dhe ndershmëria trajtohen si nocione primitive përjashtuese. Katërshja e pushteteve është shkrirë në një të vetme.
Vendi është paralizuar krejt. Ato rrugë ekzistuese po prishën për të ndërtuar të reja dhe të rejat prishen ende pa u inauguruar. Gjithçka ngjason me pacientin që ka pësuar vdekje klinike, pikën ku mjekësia është dorëzuar dhe ngre sytë lart, duke pritur mrekullinë e Zotit.
E këtu, Diogjeni mbetet pa zë e feneri i zbehet. Kishte menduar se korrupsioni e veset e Athinës së lashtë do të ishte i paarritshëm, por endja në rrugët e Tiranës e gjithë Shqipërisë e shtang. Kupton se tirania, si oaz i abuzuesve, ka hedhur petkun demokratik, që ashtu si shosha diellin, përpiqet të mbulojë të vërtetën. Do të merrte arratinë, por jo i zemëruar. Me cinizmin e tij të akullt do të buzëqeshte hidhur, duke menduar se më kot ka akuzuar athinasit për pandershmëri, e feneri i tij paska më shumë punë se kurrë në gjetje të njeriut të ndershëm.
