Last Updated on 14/01/2026 by EL
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka mbledhur me urgjencë drejtuesit e burgjeve në të gjithë vendit, ku dhe u ka kërkuar masa të menjëhershme për forcimin e kontrollit, rritjen e sigurisë dhe parandalimin e futjes së sendeve të paligjshme nëpër burgje.
Pas arratisjes një ditë më parë të së burgosurit Altin Ndoci, i njohur dhe si “ushtari i Çopjave”, u shkarkua menjëherë drejtori i IEVP Durrës, Indit Cerloj dhe pezullimit të së gjithë zinxhirit përgjegjës, ministri ka kërkuar ashpërsimin e masave.
Gjithashtu, përmes këtij reagimi, Lamallari ka bërë të ditur se i ka kërkuar drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Klevis Qoses, që të bëjë një vlerësim të parametrave të sigurisë dhe rishpërndarjes së IEVP Durrës, duke konsideruar transferimin e të dënuarve apo paraburgosurve me rrezikshmëri në burgje të sigurisë së lartë.
“Kam urdhëruar Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve të shpeshtojë kontrollet në të gjitha IEVP-të e vendit, për të parandaluar çdo tentativë të mundshme për cënim të sigurisë.
Siguria në burgje është një prioritet absolut dhe nuk do të tolerohet asnjë formë neglizhence apo shkeljeje e procedurave standarde”, shkruan ministri.
Deklarata e plotë e Ministrit të Drejtësisë:
Thirra sot një takim të posaçëm me drejtuesit e të gjitha Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në vend. Pas shkarkimit të drejtorit të IEVP Durrës pas ngjarjes së rëndë dhe pezullimit të menjëhershëm të të gjithë zinxhirit përgjegjës, kam kërkuar masa urgjente për forcimin e kontrollit, rritjen e sigurisë dhe parandalimin e futjes së sendeve të paligjshme nëpër burgje.
Kërkova nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të bëjë një vlerësim të parametrave të sigurisë dhe rishpërndarjes së IEVP Durrës, duke konsiduruar transferimin e të dënuarve apo paraburgosurve me rrezikshmëri në burgje të sigurisë së lartë.
Kam urdhëruar Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve të shpeshtojë kontrollet në të gjitha IEVP-të e vendit, për të parandaluar çdo tentativë të mundshme për cënim të sigurisë.
Siguria në burgje është një prioritet absolut dhe nuk do të tolerohet asnjë formë neglizhence apo shkeljeje e procedurave standarde.
Çdo tentativë për të sfiduar rendin, sigurinë dhe autoritetin e ligjit nëpër burgje cënon gjithashtu sigurinë publike, besimin dhe bashkëpunimin me agjenicitë ligjzbatuese dhe institucionet e drejtësisë. Në çdo rast përgjegjësit do të përballen ligjërisht pa kompromis dhe pa humbur kohë me pasojat e veprimeve të tyre./et
