Keni gjoba të papaguara, ose ju ka ardhur porosia juaj. Këto janë mesazhet që grupet e hakerave po përdorin për të mashtruar qytetarët shqiptarë.
Nuk janë pak, por duket se rastet janë shtuar sidomos gjatë këtij viti, ku persona të paidentifikuar të huaj që operaojnë jashtë Shqipërisë, kanë hapur faqe interneti identike si faqet shtetërore ku qytetarët shqiptarë në mirëbesim për të paguar gjobat e tyre, apo për të marrë shërbime të ndryshme bien pre e mashtrimeve.
“Rastet e fundit që kemi konstatuar janë ato që vijnë për pagesat e gjobave në një sistem të Policisë së Shtetit. Personat të cilët kishin aktivizuar këtë faqe interneti e kishin bërë të ngjashme me atë të gjobave të e-albania, apo të policisë së shtetit, por ndërkohë faqja nuk ishte reale. Rasti tjetër është e-albania ku edhe kjo ishte për rastin e pagesave të gjobave. Raste të tjera kemi patur të Postës Shqiptare për të cilën janë arrestuar dy shtetas të huaj me shtetësi kineze”, tha Klodjan Bilushi, specialist, Drejtoria e Krimit Kibernetik.
Skema është e thjeshtë, mjafton një link ku qytetari plotëson të dhënat e tij personale duke menduar se është një portal shtetëror dhe aq mjafton për të avulluar paratë nga llogaria bankare.
“Persona të cilët aktivizojnë faqe të tilla e bëjnë identike si ato që jep shërbime policia, apo e-albania, apo çfarë do lloj shërbimi tjetër shtetëror. Njerëzit duke parë që është e ngjashme, futet, plotësojnë të dhënat e tyre, të dhënat e kartës së kreditit, emër, mbiemër, nr e telefonit, pra lënë të dhënat e tyre dhe nëse do të plotësosh të dhënat e kartës tënde bashkë me kodin tre shifror të sigurisë që ka nga mbrapa, sigurisht që ata i marrin dhe i shfrytëzojnë për të bërë blerje online, apo duke boshatisur kartën”, u shpreh Bilushi.
Janë dhjetra qytetarë që kanë denoncuar rastet e mashtrimit pranë Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit. Rasti më i fortë ka qënë me Postën Shqiptare ku disa shtetas kinezë kishin arritur që të marrin të dhënat personale të 5 mijë qytetarëve, por fatmirësisht arrestimi i tyre parandaloi vjedhjen e parave të personave që kishin rënë pre e kësaj skeme./et
