Shumica e qytetarëve gjermanë janë në favor të zhvillimit të bisedimeve të drejtpërdrejta mes kancelarit Friedrich Merz dhe presidentit rus Vladimir Putin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Kështu rezulton nga një sondazh i ri i opinionit publik.
Sipas anketës së realizuar nga instituti YouGov në emër të agjencisë dpa, 58% e të anketuarve deklaruan se do të preferonin ose do të mbështesnin fuqimisht një dialog të tillë. Ndërkohë, 26% e kundërshtuan idenë.
Mbështetja për kontaktin e drejtpërdrejtë mes Merz dhe Putin është më e theksuar te votuesit e konservatorëve, ku 64% shprehën mbështetje për këtë propozim. Në anën tjetër, miratimi ishte më i ulët te përkrahësit e Partisë së Majtë, me 47%.
Debati mbi mundësinë e negociatave direkte është intensifikuar edhe në nivel evropian. Presidenti francez Emmanuel Macron është shprehur së fundmi në favor të dialogut të drejtpërdrejtë mes evropianëve dhe Putinit, duke theksuar se përpjekjet ndërmjetësuese të SHBA-së deri më tani nuk kanë sjellë rezultate konkrete.
Nga ana tjetër, kancelari Merz ka shprehur skepticizëm për një qasje të tillë. Gjatë një vizite në Abu Dhabi, ai rikujtoi udhëtimin e kryeministrit hungarez Viktor Orbán në Moskë, duke theksuar se pas atij takimi pasuan “bombardime të rënda, përfshirë një spital për fëmijë në Kiev”.
Sipas Merz, çdo përfshirje e evropianëve në procesin e negociatave do të ndodhë vetëm në koordinim të ngushtë me njëri-tjetrin, si dhe me Ukrainën dhe Shtetet e Bashkuara, nëse një hap i tillë konsiderohet i dobishëm./mxh
