La Calavera Catrina lindi si një vepër satirike gjatë presidencës së Porfirio Díaz (1830–1915), për të tallur zakonin meksikan të mohimit të rrënjëve indigjene dhe përpjekjen për t’u dukur evropianë.
nga Lidia Di Simone
Kjo kafkë elegante, sot një simbol i artit të rrugës, u bë e njohur botërisht si Catrina la Calavera (nga spanjishtja calavera – “kafkë”). Imazhi i saj është bërë pjesë e kulturës pop, madje edhe në hapjen spektakolare të filmit të Sam Mendes 007: Spectre (2015), ku James Bond ndodhet në zemër të paradës së Día de los Muertos – Ditës së të Vdekurve, një “Halloween” meksikan plot ngjyra e ritme.
Edhe revista Focus Storia i ka kushtuar një kopertinë të veçantë këtij simboli, në një numër të përqendruar te Zonja Vdekje dhe marrëdhënia e ndërlikuar që njerëzit kanë pasur gjithnjë me vdekjen – mes respektit dhe frikës. Në të gjenden histori për ritet funerale, nekropolet, artin e ruajtjes së trupave, mumjet egjiptiane, varret monumentale dhe funeralet vikinge.
Nga gdhendja te piktura monumentale
Figura e Catrina-s u bë e pavdekshme falë piktorit të madh Diego Rivera (1886–1957), bashkëshorti i Frida Kahlo-s, i cili e përfshiu në muralin gjigant “Një ëndërr e së dielës pasdite në Alameda Central” (15 metra i gjerë dhe 5 metra i lartë), që sot ruhet në Muzeun Mural Diego Rivera në Mexico City.
Në këtë kanavacë Rivera sjell protagonistët e katër shekujve të historisë meksikane që shëtisin nëpër Parkun Qendror të Alamedës, mes politikanëve, gjeneralëve, intelektualëve e madje edhe pushtuesit Hernán Cortés. Mes tyre, qëndron edhe La Calavera Catrina, zonja elegante me kapelë puplash dhe boa struci.
Zanafilla e një satire
Krijuar nga ilustruesi dhe gdhendësi José Guadalupe Posada (1852–1913) për gravurën La Calavera Garbancera (rreth vitit 1910), kjo figurë përshkruante një skelet që imitonte aristokracinë evropiane. Ishte një thumbim ironik ndaj atyre meksikanëve që mohonin origjinën e tyre indigjene dhe përpiqeshin të dukeshin “evropianë” nën regjimin diktatorial të Díazit.
Më vonë, Catrina u shndërrua në simbolin e Ditës së të Vdekurve, duke u kthyer në një markë kulturore me përmasa botërore dhe miliona dollarë fitime.
Nga mitologjia te moda
Nëse Posada i dha fytyrën dhe Rivera emrin, populli meksikan i dhuroi shkëlqimin: e veshi me veshje të epokës së Belle Époque dhe i dha detaje që lidheshin me mitologjinë vendase. Boa me pupla që mbështjell qafën e saj mund të jetë një homazh për perëndinë azteke të gjarprit me pupla, Quetzalcoatl.
Në rrënjët e saj mitike, Catrina lidhet me figurën e Mictecacihuatl, perëndeshës azteke të vdekjes, e cila ruante eshtrat e të ndjerëve që një ditë mund të shërbenin për ringjalljen e jetës – një simbol i vërtetë i “ekonomisë qarkulluese”.
El Catrín dhe satira ndaj snobizmit
Catrina shpesh shoqërohet nga partneri i saj mashkull, El Catrín, një skelet me frak dhe kapelë cilindrike. Çifti shpesh del në paradat e Día de los Muertos, i shoqëruar nga orkestrat mariachi të quajtura Los Catrines.
Por përtej spektaklit, mesazhi mbetet i njëjtë: një satirë ndaj “garbanceros” – atyre që, ndonëse me gjak indigjen, hiqeshin si evropianë dhe përbuznin kulturën e tyre. Këta quheshin edhe “malinchistas”, nga emri i La Malinche, gruaja indigjene që u bë përkthyesja dhe e dashura e pushtuesit Cortés, simbol i tradhtisë ndaj atdheut.
Vdekja është demokratike
Në fund, mbetet për t’u kujtuar fjala e pavdekshme e Guadalupe Posada-s:
“Vdekja është demokratike, sepse në fund të fundit, qofshin të pasur apo të varfër, bjondë apo brunë, të gjithë përfundojmë duke qenë skelete.”
Burimi: Focus/ Përgatiti për botim: L. Veizi
