Last Updated on 29/10/2026 by EL
Padituria edhe mund të korrigjohet me dije, por siguria e verbër është më e vështirë për t’u shëruar, sepse nuk e pranon se ka nevojë për shërim. Njeriu që nuk di, mund të pyesë; ai që është i bindur se di gjithçka, nuk sheh më arsye për të pyetur.
Nuk është problem e as gabim të gabosh. Të gabosh është njerëzore.
Por të mos kesh asnjë provë, asnjë argument, asnjë dyshim dhe, megjithatë, të flasësh sikur ke në duar të vërtetën absolute, e kjo është me të vërtetë shqetësuese.
Të ngatërrosh bindjen me dijen, këmbënguljen me argumentin dhe zërin e lartë me autoritetin, është shqetësuese.
Të mos kesh fakte për të mbrojtur atë që thua dhe sulmon ata që kërkojnë, është shqetësuese. Kur mungesën e argumenteve, e mbulojnë me britmat se janë të keqkuptuar; kur mungesën e provave e përdorin për të akuzuar të tjerët për padituri, kjo është vërtet e llahtarshme.
Se sa më pak dinë, aq më pak dyshojnë dhe, pikërisht aty ku duhet të fillojë pyetja, ata shpallin përfundimin.
Kështu lindin paragjykimet, përhapen marrëzitë dhe ndërtohen bindje që nuk i mbijetojnë dot asnjë fakti. Dhe sa më pak argumente të ketë dikush, aq më fort ngre zërin, sikur volumi i zërit të mund të zëvendësojë peshën e mendimit.
Por një gënjeshtër nuk bëhet fakt nga përsëritja, një budallallëk nuk bëhet argument nga këmbëngulja dhe një mendim nuk bëhet dije vetëm sepse thuhet me arrogancë.
Mendja e hapur nuk është shenjë dobësie. Është shenjë inteligjence. Të thuash “Nuk e di” kërkon ndershmëri intelektuale. Të thuash “Jam i sigurt!” pa pasur prova kërkon vetëm mungesë dyshimi.
Sikundër nuk është dobësi toleranca, por vlerë.
E vërteta nuk ka nevojë për vetëbesimin tonë që të jetë e vërtetë. Dhe një bindje, sado e fortë të jetë, nuk bëhet fakt vetëm sepse dikush refuzon ta vërë në dyshim.
Prandaj më frikëson më pak ai që nuk di, sesa ai që nuk di dhe është i bindur se të gjithë të tjerët gabojnë.
