FIFA ka konfirmuar se qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka autoritetin përfundimtar në vlerësimin dhe përcaktimin e sigurisë në qytetet pritëse të Kupës së Botës 2026. Ky qëndrim vjen pas deklaratave të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili sugjeroi se mund të kërkojë zhvendosjen e ndeshjeve nga qytete që ai i konsideron “të rrezikshme”.
Trump deklaroi se presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, do të zhvendoste “shumë lehtë” ndeshjet nëse ai do ta kërkonte një gjë të tillë. Ai përmendi gjithashtu mundësinë e zhvendosjes së Lojërave Olimpike 2028 nga Los Angeles, në rast se konsiderohet se qyteti nuk përmbush standardet e sigurisë.
Ndërkohë, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino ka krijuar një marrëdhënie të ngushtë me Trumpin dhe së fundmi mori pjesë në një samit për paqen në Lindjen e Mesme së bashku me të në Egjipt. Aktualisht, FIFA nuk ka identifikuar probleme të mëdha sigurie në asnjë nga 16 qytetet pritëse në SHBA, Kanada dhe Meksikë, ku do të zhvillohet Kupa e Botës 2026. /K.M
