E ngarkuara me punë e ambasadës së SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, ka takuar këtë të martë krerët e dy grupeve më të mëdha parlamentare, Taulant Ballën dhe Gazment Bardhin. Në një postim në mediat sociale, ambasada e SHBA bën me dije se diskutimet kanë qenë produktive, por kërkon prej tyre që të japin rezultate për qytetarët.
“VanHorn theksoi dialogun konstruktiv dhe lirinë e fjalës si shtylla të institucioneve të forta politike. Ambasada e SHBA-së pret me padurim të punojë së bashku me zyrtarë nga i gjithë spektri politik për t’i bërë vendet tona më të sigurta dhe më të begata”, njoftoi ambasada e SHBA.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, përmes një postimi në mediat sociale pohon se me diplomaten e SHBA ka diskutuar për punën e Kuvendit, në kuadër të reforma që e afrojnë Shqipërinë me Bashkimin Evropian.
“Në qendër të bisedës ishte dialogu dhe agjenda legjislative e Kuvendit në kuadër të reformave shumëplanëshe, ku prioritete thelbësore spikasin përmbushja e detyrimeve të Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian brenda këtij mandati si dhe detyrimet në fushën e sigurisë si një vend anëtar i NATO, aleat strategjik me SHBA. Vlerësojmë mbi gjithçka rolin udhëheqës të Presidentit Trump dhe përpjekjet e SHBA për paqe dhe siguri kudo në botë”, u shpreh Balla.
Lidhur me këtë takim ka reaguar edhe Gazment Bardhi, i cili në mediat sociale tregon se ka ndarë me diplomaten qëndrimin e PD për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. m.p.
