Last Updated on 08/09/2026 by Monika
Në rang vendi janë raportuar 22 vatra zjarri, prej të cilave 12 aktive, 9 nën mbikëqyrje dhe 1 e shuar. Në operacione janë angazhuar 498 forca vendore dhe lokale dhe 314 efektivë të Forcave të Armatosura, krahas mjeteve zjarrfikëse, mjeteve mbështetëse, autoambulancave, dronit dhe 4 operacioneve me helikopterë.
QARKU TIRANË: Në Malin e Dajtit zjarri vijon aktiv në sipërfaqe me pyll ahu dhe shkurre. Në operacion janë angazhuar 25 efektivë zjarrfikës, 7 forca të ADM-së, si dhe 55 efektivë të FA, 5 mjete, 1 autoambulancë dhe 1 helikopter. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë, vatra në Kryezi të Kavajës është shuar, ndërsa në Malin e Bërzhitës zjarri është izoluar dhe mbahet nën monitorim nga strukturat vendore.
QARKU DIBËR: Vijojnë aktive vatrat në Vajkal të Bulqizës, Lundre–Madhesh në Mat, Qafën e Helmes në Bulqizë dhe Cerrujë–Mali i Allushit në Klos. Në Lundre–Madhesh, krahas forcave vendore, pyjore dhe vullnetare, operacioni mbështetet nga 22 efektivë të FA, 3 mjete dhe 1 autoambulancë. Në të gjitha këto vatra raportohet se nuk ka rrezik për zonat e banuara, ndërsa në Lundre–Madhesh zjarri ndodhet në lartësi dhe në distancë të konsiderueshme nga banesat.
QARKU LEZHË: Aktive mbeten vatrat në Gallatë të Kurbinit dhe në zonën Kalivaç–Zimaj–Kashnjet të Bashkisë Lezhë. Në Gallatë ndërhyrja vështirësohet nga terreni, por nuk ka rrezik për banesat. Një angazhim i konsiderueshëm vijon në Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, ku janë 100 forca vendore, pyjore dhe vullnetare, të mbështetura nga 124 efektivë të FA, 16 mjete, 2 autoambulanca dhe 1 helikopter. Edhe këtu nuk raportohen zona të banuara në rrezik.
QARKU ELBASAN: Vatra në Malin e Qukësit, Prrenjas, është nën mbikëqyrje dhe monitorohet nga MZSH. Në Gurëshpatë të Librazhdit zjarri vijon aktiv dhe në terren është angazhuar MZSH Librazhd me 1 automjet dhe 6 efektivë. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
QARKU SHKODËR: Situata po ndiqet në disa zona. Vatra mbi Ludric dhe Shopel në Fushë-Arrëz është nën mbikëqyrje. Në Mnelë të Vogël, Vau-Dejës, zjarri vijon aktiv dhe operacioni mbështetet nga 27 efektivë të FA, 3 automjete zjarrfikëse, 1 autobot dhe 1 helikopter, krahas strukturave vendore. Në Bardhaj–Myselim, vijon puna me forca të MZSH-së, Shërbimit Pyjor, bashkisë dhe vullnetarë, të mbështetur nga 43 efektivë të FA dhe mjete, ndërsa nuk ka rrezik për zonat e banuara. Vatra në Bërdicë është nën mbikëqyrje. Në Malin e Tërbunit, Pukë, zjarri vijon aktiv në pyll me pishë; në operacion janë forcat vendore dhe 32 efektivë të FA me 3 mjete dhe 1 autoambulancë. Edhe në Tërbun nuk ka rrezik për zonat e banuara.
QARKU VLORË: Në Bolenë të Himarës, vatra është nën mbikëqyrje nga MZSH Himarë. Në Qesarat të Finiqit zjarri, i shfaqur gjatë ditës së sotme në sipërfaqe me shkurre, vijon aktiv; në operacion është MZSH Finiq dhe është kryer edhe ndërhyrje me 1 helikopter.
QARKU FIER: Vatrat në Peshtan të Fierit dhe Çërrilë të Mallakastrës janë tashmë nën mbikëqyrje. Strukturat zjarrfikëse vijojnë monitorimin e tyre në terren për të parandaluar riaktivizimet.
QARKU DURRËS: Në Halil të Krujës, zjarri që ishte shfaqur pranë zonave të banuara është izoluar dhe shuar, ndërsa zona vijon të mbahet nën monitorim nga MZSH Krujë.
QARKU KUKËS: Vatra në Mamëz, njësia administrative Kolsh, e shfaqur sot në sipërfaqe me shkurre dhe pisha, është nën mbikëqyrje. Nuk ka rrezik për zonat e banuara./mxh
