Last Updated on 05/10/2026 by Klara
Ish-nënkryetari dhe ish-deputeti i PD-së, Edmond Spaho në një reagim në rrjetet sociale shprehet se një nga gabimet më të rënda të politikës së djathtë shqiptare, ka qenë djegia e mandatit të deputetëve në vitin 2019.
Spaho shkruan se ky gabim i dha mundësine PS-së të ndryshojë ligjin zgjedhor në favorin e saj dhe të thellojë diferencën me PD-në në çdo palë zgjedhje.
Për këtë Spaho bën përgjegjës, kreun e PD-së, Sali Berishën, Lulzim Bashën, LSI-në, partitë e djathta parlamentare Republikane, si dhe një pjesë analistësh që sipas tij thanë së djegia e mandateve do të siguronte rënien e Ramës.
Reagimi i plotë:
Një nga gabimet më të rënda të politikës së djathtë shqiptare, gjatë gjithë periudhës së tranzicionit, është djegia e mandateve të deputetëve në vitin 2019.
Ky gabim fatal, shoqëruar me mospjesëmarrjen në zgjedhjet vendore, i dhanë mundësinë PS të çimentonte qeverisjen e vetme në të dy nivelet e pushtetit në Shqipëri, duke e kthyer atë praktikisht në monokraci.
Djegia e mandateve të deputetëve i krijoi PS mundësinë të ndryshojë ligjin zgjedhor në favorin e saj, të thellojë diferencën me të djathtën pas çdo palë zgjedhje, si dhe të zvogëlojë në minimum mundësinë e rotacionit politik edhe për shumë vite të tjera.
Përgjegjësit e kësaj fiaskoje politike dihen. Ata janë:
Sali Berisha dhe vegla e tij në krye të PD, Lulzim Basha.
LSI, e cila kundërshtonte djegien e mandateve, por pastaj, në një ndryshim të çuditshëm pozicioni, e pranoi këtë veprim.
Partitë e djathta parlamentare Republikane, PDK, LZHK dhe PDBNJ, të cilat pranuan diktatin e PD dhe eventualisht djegien e mandateve.
Një mori “analistësh”, të cilët morën detyrën të shisnin në opinionin publik djegien e mandateve të deputetëve, si mekanizmi që do siguronte rënien e menjëhershme të Ramës nga pushteti. Kjo propagandë krijoi një klimë tepër agresive ndaj deputetëve të djathtë, duke i akuzuar që po vononin rënien përfundimtare të Ramës.
Si pjesë e lidershipit të PD të asaj kohe, e kam ndërgjegjen të qetë para qytetarëve shqiptarë, sepse i kam kërkuar me insistim Kryetarit të PD dhe drejtuesve të gjithë partive opozitare parlamentare të mos djegin mandatet e deputetëve. Disa prej tyre sot e kanë pranuar këtë fakt publikisht. /k.m
