Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë (FSB) ka njoftuar arrestimin e dy personave, të cilët i akuzon se janë agjentë të inteligjencës polake dhe se po mblidhnin informacione sekrete për instalimet ushtarake ruse në enklavën e Kaliningradit.
Sipas agjencisë ruse Interfax, FSB pretendon se dy personat po kryenin veprimtari spiunazhi në këtë rajon strategjik të Rusisë, i cili ndodhet në brigjet e Detit Baltik. Në të njëjtin njoftim, shërbimi rus i inteligjencës bëri të ditur se kishte paralajmëruar edhe shtatë shtetas polakë dhe tre shtetas rusë për kontakte të dyshuara me shërbimet polake të sigurisë.
Nga ana tjetër, Polonia ka reaguar me rezerva ndaj pretendimeve të Moskës. Një zëdhënës i ministrit polak përgjegjës për shërbimet speciale deklaroi se nuk do të komentonte njoftimet e publikuara nga inteligjenca ruse. Megjithatë, Jacek Dobrzynski shkroi në rrjetin social X se deklaratat e FSB-së përbënin një tjetër provokim dhe akt dezinformimi, veçanërisht pasi ato u publikuan në Ditën Kombëtare të Pavarësisë së Polonisë.
Kaliningradi është një enklavë ruse në Detin Baltik, e ndarë gjeografikisht nga pjesa tjetër e territorit rus dhe e kufizuar nga Polonia dhe Lituania. Për shkak të pozicionit të tij strategjik dhe pranisë së rëndësishme ushtarake ruse, rajoni është prej vitesh një nga pikat e tensionit mes Moskës, Bashkimit Europian dhe NATO-s./k.m
