Last Updated on 11/11/2026 by Anisa
Deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, ka reaguar lidhur me pritshmëritë e krijuara për dosjen “Albanian Files”, duke ironizuar opozitën dhe analistët që kanë paralajmëruar pasoja penale për kryeministrin Edi Rama. Sipas Spahos, deri më tani nuk ka nisur asnjë hetim nga SPAK dhe pretendimet se kjo çështje do të sjellë fundin politik të Ramës janë të pabazuara.
Nga Edmond Spaho
U mbars mali dhe polli një mi.
Nuk kam dashur të shkruaj për këtë çështje, sepse do të më akuzonin si shërbëtor i Ramës. Por kjo nuk më ka penguar të qesh me të madhe.
Prej javësh predikohej që Ramës po i vjen fundi nga libri “Albanian Files”, të cilin ai e botoi vetë.
Në të vërtetë, për një njeri me mendje të shëndoshë, është shumë pak e mundur, për të mos thënë aspak, që të mendosh nëse këtu ka apo jo ndonjë mi?
Jo vetëm që nuk ka asnjë emër që po hetohet për “Albanian Files”, por nuk ka fare hetim nga Prokuroria e Posaçme dhe nuk ka për të pasur asnjë problem për Ramën në të ardhmen nga kjo histori.
SPAK ka regjistruar ankimimin, domethënë thjesht ka vendosur në ankimim një numër protokolli.
Rama ndoshta e meriton të ndiqet penalisht për shumë çështje, por nuk kuptoj se si një numër i madh analistësh dhe televizionesh gënjejnë me paturpësi qytetarët duke u thënë që Rama do të burgoset për “Albanian Files”.
Tmerr i vërtetë kur shikon që këtë idiotësi e artikulojnë eksponentë të rëndësishëm të opozitës.
Kaq e pafuqishme ndihet opozita në përballjen me mazhorancën, sa shpreson se Ramës do t’i vijë fundi nëpërmjet hetimit të arkitektëve të huaj.
Si do t’i vijë fundi pushtetit të Ramës nga një libër që ai e botoi vetë dhe që synon ta konvertojë në një muze arkitekture, ku çdo pavijon do të ilustrojë një nga arkitektët dhe veprën e tij në Tiranë, të përfshirë në libër?
Mblidhni, more, mendjen! Ne mund të kemi dëshirë ta heqim Ramën, por kjo nuk do të ndodhë sipas ëndrrave që ne shohim ditën e natën./ad
