Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian hyn në fazën e tij vendimtare gjatë vitit 2026.
Kështu deklaroi ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Europën dhe Punët e Jashtme, ku u prezantua projektbuxheti i vitit 2026.
Sipas Spiropalit, viti i ardhshëm do të jetë një moment historik për diplomacinë shqiptare, që do të udhëheqë, siç u shpreh ajo, “ofensivën më të madhe diplomatike në historinë e vendit”.
“Duhet t’i japim vulën e pakthyeshmërisë reformave që na kanë sjellë deri këtu. Mali përpara është ende i lartë, por tatëpjeta që kemi ngjitur është më e madhe se maja që kemi përballë. Nuk jemi në gjysmë të rrugës, jemi pranë fundit të saj. Me vendosmëri, vullnet dhe energji të re, do të punojmë për të arritur sa më shpejt objektivin e Pasaportës sonë Europiane”, tha Spiropali./MXH
