Ish-ministrja Elisa Spiropali ka dorëzuar në Asamblenë e Partisë Socialiste mocionin e paralajmëruar për hapjen e partisë, një nismë që kishte qenë më herët objekt i deklaratave të saj publike dhe që ishte përmendur edhe nga kryeministri Edi Rama në një prej daljeve të tij.
“Ia kam dorëzuar sot”, është shprehur Spiropali para gazetarëve, duke konfirmuar zyrtarisht paraqitjen e mocionit në forumin më të lartë drejtues të PS-së.
Dorëzimi i këtij mocioni vjen pas një serie deklaratash të ish-ministres, e cila ka kërkuar nisjen e një procesi më të gjerë diskutimi dhe reformimi brenda Partisë Socialiste. Sipas saj, hapja e partisë synon të rrisë përfshirjen e anëtarësisë në vendimmarrje, të nxisë debat të brendshëm dhe të adresojë shqetësimet e evidentuara gjatë periudhës së fundit.
Nisma është parë si një përpjekje për të forcuar demokracinë e brendshme në PS dhe për të krijuar më shumë hapësira për kontributin e strukturave dhe anëtarëve të partisë.
Përmbajtja e plotë e mocionit dhe propozimet konkrete nuk janë bërë ende publike. Më shumë detaje pritet të dalin gjatë diskutimeve në Asamblenë e Partisë Socialiste dhe në zhvillimet politike të ditëve në vijim./ad
