Last Updated on 13/11/2025 by Monika
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi një takim dypalësh me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm italian, Antonio Tajani, në kuadër të samitit të parë Ndërqeveritar Shqipëri–Itali, ku delegacioni shqiptar udhëhiqej nga Kryeministri Edi Rama.
Bisedimet u fokusuan në thellimin e bashkëpunimit strategjik në fusha të ndryshme, duke përfshirë mbrojtjen, sigurinë, energjinë, migracionin, shëndetësinë, zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturën. Një prioritet i veçantë u vënë Korridorit VIII, që konsiderohet jetik për ndërlidhjen, tregtinë dhe sigurinë e rajonit.
Spiropali falënderoi homologun italian për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë në rrugëtimin europian të Shqipërisë dhe për përkushtimin për avancimin e projekteve të përbashkëta.
Si pjesë e takimit, ministrja shqiptare nënshkroi Memorandumin e Mirëkuptimit për Bashkëpunim në Sigurinë Kibernetike me Tajanin, duke theksuar rëndësinë e forcimit të partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve./MXH
