Një tifoz i Barcelonës ka përjetuar një peripeci të pazakontë në natën e të martës, teksa gjendej në Angli për të ndjekur skuadrën e zemrës në duelin e Ligës së Kampioneve përballë Njukasëllit. Tifozi në fjalë ka ngatërruar qytet, duke përfunduar 366 milje larg, në Ekster.
Stadiumet e skuadrave ndahen nga kjo distancë, rreth 6 orë me makinë, por kanë diçka të përbashkët, emrin e stadiumit të tyre “St James Park”. Kjo duket ka sjellë edhe ngatërresën e tifozit i cili kishte udhëtuar nga Londra për të ndjekur ndeshjen e Ligës së Kampioneve, por e ka parë veten para një stadiumi me pak më shumë se 8700 vende ku luhej një sfidë e kategorisë së tretë, Ekster-Linkoln Siti.
“Një nga vullnetarët erdhi në zyrë dhe na tregoi se ishte shfaqur ky personi i cili kërkonte të shihte Barcelonën. Anglishtja e tij nuk ishte aq e mirë por nga ajo që kuptuam, kishte ardhur nga Londra. Mendoj se thjesht ka vendosur emrin “St James Park” në telefon dhe pastaj ka ndjekur drejtimet me makinë. AI ishte i zhgënjyer dhe paksa i turpëruar. Por i siguruam një biletë dhe ai pa ndeshjen në “St James Park” të vërtetë”, tha një nga përfaqësuesit e klubit të Ekster për këtë episod të pazakontë./mxh
