Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka pranuar se ka bërë një gabim duke emëruar Peter Mandelson në një post zyrtar dhe u ka kërkuar falje viktimave të financierit të ndjerë Jeffrey Epstein.
Në një deklaratë publike, Starmer tha se vendimi për ta emëruar Mandelson ishte një gabim personal dhe se ai merr përgjegjësinë e plotë për këtë veprim.
“Unë bëra një gabim dhe u kërkoj falje viktimave të Epstein për këtë emërim,” tha kryeministri britanik, duke shtuar se informacionet e publikuara së fundmi kanë ngritur pyetje të reja mbi çështjen.
Starmer theksoi se për shkak të hetimeve në zhvillim nga Metropolitan Police, disa informacione nuk mund të bëhen ende publike.
Megjithatë, ai nënvizoi se kjo nuk e ndryshon faktin që vendimi për emërimin ishte i tij dhe se përgjegjësia i takon atij personalisht.
Rasti i Jeffrey Epstein, i cili u akuzua për trafikim dhe abuzim seksual me të mitur, ka tronditur politikën dhe elitën ndërkombëtare për shkak të lidhjeve të tij me figura të njohura nga politika, biznesi dhe bota e showbizit./mxh
