Disa persona kanë shfaqur halucinacione dhe çrregullime të rënda të gjendjes mendore pas ndërprerjes së medikamenteve GLP-1, të përdorura për trajtimin e diabetit dhe humbjen në peshë.
Një rast i tillë është ai i një 61-vjeçari, i cili ndërpreu trajtimin me tirzepatide në gusht 2025 për shkak të të përzierave. Rreth dy muaj më vonë, ai u shtrua në spital me simptoma të rënda, përfshirë paranojë, dëgjimin e zërave dhe halucinacione pamore. Ai shfaqi gjithashtu një gjendje të rrallë të njohur si deluzioni i Cotard-it, ku personi beson se ka vdekur ose nuk ekziston.
Një rast tjetër përfshin një 52-vjeçar, i cili e ndërpreu menjëherë ilaçin në shtator 2025, pasi kishte humbur rreth 45 kilogramë. Një muaj më vonë, ai u shtrua në spital me simptoma manie, si të folur të çrregullt dhe të shpejtë, nervozizëm, impulsivitet dhe ide madhështie.
Të dy pacientët patën nevojë për trajtim me ilaçe antipsikotike. Njëri prej tyre u shtrua sërish në spital dhe iu nënshtrua edhe terapisë elektrokonvulsive.
Rastet u përshkruan nga mjekët në revistën shkencore The Primary Care Companion for CNS Disorders, të cilët i cilësojnë këto reagime si një fenomen klinik që ende nuk njihet sa duhet.
Megjithatë, autorët theksojnë se këto raste duket të jenë të rralla dhe bëjnë thirrje që pacientët të monitorohen nga afër kur ndërpresin trajtimin me medikamentet GLP-1.
