Një sulm me dron ukrainas ka shkaktuar vdekjen e dy personave që udhëtonin me makinë, mes tyre edhe një punonjëse e centralit bërthamor të Zaporizhzhias, i cili ndodhet nën kontrollin rus. Lajmi u bë i ditur të martën nga drejtuesit e centralit, të cilët nuk dhanë detaje se ku ka ndodhur incidenti.
Sipas deklaratës, punonjësja e vrarë është viktima e tretë në radhët e personelit të centralit gjatë dy javëve të fundit dhe e 13-ta që prej muajit prill. Drejtuesit e centralit i cilësuan sulmet ndaj automjeteve civile dhe vrasjen e njerëzve të pafajshëm si akte terrorizmi të qëllimshme, duke theksuar se civilët nuk duhet të bëhen objektiva të sulmeve. Nga ana tjetër, Ukraina nuk ka reaguar lidhur me ngjarjen.
Forcat ruse morën nën kontroll centralin bërthamor të Zaporizhzhias në javët e para të pushtimit të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022. Ky është centrali më i madh bërthamor në Europë dhe ka gjashtë reaktorë. Që prej marrjes së tij nën kontroll nga Rusia, të dyja palët kanë akuzuar vazhdimisht njëra-tjetrën për veprime ushtarake që rrezikojnë sigurinë bërthamore të objektit.
Javën e kaluar, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) njoftoi se një punonjës i centralit kishte humbur jetën, por nuk dha detaje mbi rrethanat e ngjarjes. Drejtori i përgjithshëm i agjencisë, Rafael Grossi, ka bërë vazhdimisht thirrje për përmbajtje ushtarake dhe shmangien e përplasjeve pranë centralit, i cili aktualisht nuk është në funksion.
Ndërkohë, në korrik, kreu i korporatës shtetërore ruse të energjisë bërthamore, Rosatom, deklaroi se kryeinxhinieri i centralit ishte vrarë nga një sulm me dron ukrainas pranë objektit./mxh
