Komisioni Evropian pritet të publikojë këtë të mërkurë, Raportin e Progresit për vendet kandidate dhe një dokument udhëzues që përcakton afatet kohore dhe hapat konkretë drejt përfundimit të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian për Shqipërinë, Malin e Zi dhe vendet e tjera kandidate.
Sipas të përditshmes kroate “Jutarnji List”, në dokumentin e ri Komisioni Evropian do të konfirmojë se objektivi i Shqipërisë për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027 është i realizueshëm.
Në këtë kuadër, Brukseli pritet të përcaktojë edhe afatet për mbylljen e kapitujve të negociatave. Shqipëria, e cila renditet ndër vendet me përparimin më të madh në procesin e integrimit, pas Malit të Zi, ka ende 31 kapituj për të përmbyllur. Megjithatë, sipas gazetës kroate, një pjesë e diplomatëve evropianë e konsiderojnë këtë objektiv mjaft ambicioz.
Sa i përket Malit të Zi, parashikimet janë edhe më optimiste. Sipas raportimeve, Podgorica mund të përfundojë negociatat e anëtarësimit deri në fund të dhjetorit 2026, ndërsa Traktati i Anëtarësimit mund të nënshkruhet në qershor të vitit 2027./mxh
