Last Updated on 28/11/2026 by Monika
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar në lidhje me aktet e dhunës ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias, të ushtruara nga Policia e Shtetit.
UGSH ka dënuar me forcë episodet e dhunshme gjatë protestës, që kishin si objektiv gazetarët, të cilët kanë rënë pre e bombave molotov, plumbave të gomës dhe ujit me presion, nga ku disa gazetarë kanë mbetur të lënduar.
UGSH-ja ka apeluar kundrejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe organeve të prokurorisë, duke u bërë thirrje të marrin masat dhe të hetojnë çdo akt force apo dhune të ushtruar karshi gazetarëve të pranishëm në protestën kombëtare.
Për Unionin e Gazetarëve, imazhet e ditës së shtunë janë pjesë e një realiteti që ka sjellë politika aktuale.
Reagimi i UGSH:
“Reagim i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
Dënojmë aktet e dhunës dhe lëndimin e gazetarëve nga punonjës dhe mjete të policisë së shtetit, si dhe sulmet dhunuese mbi institucione, në ditën e festës kombëtare të Pavarësisë
Tiranë më 28.11.2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dëshiron të urojë në këtë ditë gjithë shqiptarët:
Gëzuar ditën e shpalljes së Pavarësisë!
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh keqardhjen që përvjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në ditën e ngritjes së flamurit në Tiranë, po shndërrohet në një betejë shqiptarësh kundër shqiptarëve, policisë kundër protestuesve dhe protestuesve në sulm kundër disa institucioneve si ministri dhe selinë e Bankës Kombëtare të Shqipërisë.
Imazhet e ditës së sotme në Tiranë, janë pjesë e një realiteti që e ka sjellë politika dhe e përdor politika.
Në episodet e dhunshme, të goditjes me bomba molotov, me plumba gome apo me ujë me presion janë lënduar qytetarë dhe pak policë dhe për turp edhe punonjës të mediave.
UGSH dënon me forcë çdo akt dhune dhe banditizmi, sikundër edhe papërgjegjshmërinë ndaj goditjeve në drejtim të gazetarëve apo punonjësve të mediave. Nga raportimet e mediave mes të lënduarve janë edhe gazetari Elkier Bushkolaj dhe operatori Ardian Muka si she fotoreporteri Feliks Bilani.
UGSH shpreh solidaritet të plotë me kolegët dhe kërkon nga Policia e Shtetit hetimin dhe zbardhjen e përgjegjësisë së autorëve të këtij lëndimi.
UGSH vëren se gjatë gjithë orëve të protestës gazetarët dhe punonjësit e mediave kanë qenë të identifikueshëm dhe të paisur me shenjat dalluese dhe për këtë arsye çdo pretendim për mosvënie re, apo mosidentifikim është i papranueshëm.
UGSH apelon për gjithë kolegët për kurajo dhe solidaritet të fuqishëm, sikundër presim reagimin e shpejtë ligjor nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe organet e prokurorisë.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë”/Mxh
