Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani ripërsëriti sot thirrjet për Izraelin që të ndërpresë përshkallëzimin ushtarak në Liban.
Gjatë një telefonate me homologun e tij libanez Youssef Raggi, Tajani shprehu mbështetjen për një armëpushim midis Libanit dhe Izraelit ndërsa përsëriti gatishmërinë e tij për të kontribuar në forcimin e institucioneve dhe forcave të rregullta të armatosura.
“Për të mbrojtur armëpushimin, Hezbollahu duhet të pushojë absolutisht çdo veprim ushtarak kundër Izraelit dhe të pranojë vendimet e qeverisë legjitime. Ne jemi të bindur se edhe Izraeli duhet të heqë dorë nga përshkallëzimi ushtarak. Rruga e diplomacisë është e vetmja mënyrë për të arritur paqen”, tha Tajani në platformën e mediave sociale amerikane X.
Tre persona u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën sot në sulmet ajrore izraelite në jug dhe lindje të Libanit, pavarësisht marrëveshjes së rinovuar të armëpushimit, sipas raporteve të mediave libaneze.
Sulmet erdhën një ditë pasi Libani dhe Izraeli ranë dakord për të rinovuar armëpushimin e tyre të brishtë dhe për të krijuar “zona pilot”, duke e vendosur ushtrinë libaneze nën kontroll ekskluziv territorial, me të gjithë aktorët joshtetërorë të përjashtuar.
Marrëveshja u njoftua në një deklaratë të përbashkët të lëshuar pas një raundi të katërt të bisedimeve të ndërmjetësuara nga SHBA-ja të mbajtura në Departamentin e Shtetit të mërkurën.
Bisedimet e sponsorizuara nga SHBA-ja ndoqën javë të sulmeve thuajse ditore izraelite në Liban që kanë vrarë afro 3.500 njerëz që nga 2 marsi, pavarësisht armëpushimit që hyri në fuqi më 17 prill dhe u zgjat më vonë deri në fillim të korrikut./mxh