Rusia ka akuzuar NATO-n se po përpiqet të rrisë ndikimin e saj në Ballkan dhe të largojë Serbinë nga lidhjet tradicionale me Moskën.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, deklaroi se aleanca ushtarake perëndimore e konsideron Ballkanin si një zonë me interes strategjik dhe po ushtron presion të vazhdueshëm ndaj Beogradit.
Komentet e saj vijnë në kohën kur në Serbi po zhvillohet stërvitja e përbashkët ushtarake “Platinum Wolf”, e cila ka nisur më 1 qershor me mbështetjen e Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara. Në aktivitet marrin pjesë edhe tetë vende anëtare të NATO-s.
Sipas autoriteteve serbe, stërvitja synon shkëmbimin e përvojave dhe rritjen e bashkëpunimit mes forcave pjesëmarrëse.
Por Moska e sheh zhvillimin ndryshe. Zakharova deklaroi se ekziston një interes historik për ta shkëputur Serbinë nga Rusia dhe për ta afruar atë me strukturat euroatlantike.
Ajo theksoi se Beogradi vazhdon të ndjekë një politikë të pavarur dhe të paangazhuar ushtarakisht, duke mos iu bashkuar asnjë aleance, por sipas saj kjo nuk është në përputhje me interesat e NATO-s.
Në deklaratat e saj, zëdhënësja ruse përdori një krahasim të fortë, duke thënë se NATO po e mbështjell Serbinë “si një gjarpër boa”, me qëllim për ta tërhequr gradualisht në orbitën e saj./mxh
