Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, është takuar të premten në Romë me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, në një periudhë tensionesh në rritje mes qeverisë italiane dhe administratës së Presidentit Donald Trump.
Sipas burimeve diplomatike, përplasjet lidhen kryesisht me qëndrimet ndaj luftës në Iran, ku Uashingtoni dhe Tel Avivi kanë hasur rezistencë nga Roma zyrtare për mbështetjen e operacioneve ushtarake.
Rubio ndodhet në Itali në një vizitë dyditore, me synim uljen e tensioneve edhe me Vatikanin, pas kritikave të paprecedenta të Trump ndaj Papës Leo, si dhe për të adresuar pakënaqësitë e SHBA-ve ndaj qëndrimit italian për konfliktin në Iran.
Meloni, e konsideruar më herët si një nga aleatet më të forta të Trump në Evropë dhe një urë lidhëse mes SHBA-së dhe BE-së, po përballet me një pozicion më të ndërlikuar politik.
Qëndrimi i saj pro-Uashingtonit është vënë nën presion për shkak të kundërshtimit të opinionit publik italian ndaj luftës dhe shqetësimeve për pasojat ekonomike të konfliktit.
Takimi në Romë vjen në një moment delikat për marrëdhëniet SHBA–Itali, ndërsa të dyja palët kërkojnë të ruajnë bashkëpunimin strategjik pavarësisht dallimeve në politikën e jashtme./mxh
