Parlamenti i Bullgarisë në Sofje ka votuar të premten për miratimin e qeverisë së re të drejtuar nga Rumen Radev, lider i partisë “Progressive Bulgaria”, e cila fitoi zgjedhjet parlamentare të 19 prillit me 44.6% të votave.
Pas votimit në sallë, Radev mbajti një fjalim ku falënderoi qytetarët bullgarë për pjesëmarrjen në zgjedhje, duke thënë se me votën e tyre “i dhanë fund krizës politike” dhe i hapën rrugë funksionimit efektiv të Asamblesë Kombëtare.
Ai u shpreh se legjitimiteti i marrë në zgjedhje i jep parlamentit mundësinë të punojë në mënyrë operative dhe efikase.
Menjëherë pas votimit, ministrat e kabinetit të ri bënë betimin, ndërsa Radev dhe anëtarët e qeverisë u larguan nga salla e parlamentit.
Partia e Radevit siguron shumicën në parlamentin me 240 deputetë, duke i dhënë atij mundësinë të formojë qeverinë e parë njëpartiake në Bullgari në gati tre dekada.
Në kabinetin e ri, Velislava Petrova-Chamova është emëruar ministre e Jashtme, ndërsa Galab Donev, ish-kryeministër kujdestar, do të drejtojë Ministrinë e Financave. Qeveria e re përballet me sfida të menjëhershme, përfshirë miratimin e buxhetit, vendosjen e kufirit të borxhit publik dhe sigurimin e fondeve të Bashkimit Evropian.
Ndërkohë, agjencia e vlerësimit “Fitch” ka paralajmëruar se reformat e premtuara në sistemin gjyqësor do të jenë një test i rëndësishëm për aftësinë e qeverisë në luftën kundër korrupsionit, ndërsa rritja e çmimeve të energjisë mbetet një tjetër rrezik për ekonominë.
Në planin e politikës së jashtme, mbetet e paqartë se sa pro-ruse do të jetë qeveria e re, megjithëse zyrtarët e partisë së Radevit kanë hedhur poshtë shqetësimet për ndryshime ekstreme në orientimin ndërkombëtar të vendit./mxh
