Tartar Bazaj, ish-gjyqtar i Republikës, ka bërë një shënim drejtuar kryeministrit Edi Rama. Nisur nga momentumi në të cilin ndodhet vendi, ai thotë se pushtetin, kryeministri e ka nga votat e qytetarëve, por i tregon se historia nuk i fal ata që e harrojnë nga e kanë marrë.
Shkruan Tartar Bazaj:
POPULLIN NUK MUND TA MUNDËSH!
HISTORIA NUK I FAL ATA QË HARROJNË KUSH UA DHA PUSHTETIN!
Zoti Kryeministër, pushteti nuk është pronë private, atë e ke fituar nga votat tona, shumica parlamentare, nuk është leje për të sunduar pa mëshirë, dhe vota e qytetarit nuk është çek i bardhë për askënd!
Mos e ngatërroni fitoren në zgjedhje, me të drejtën për të mos dhënë llogari dhe të shtypësh bijtë e kombit. Mos e ngatërroni heshtjen e qytetarëve me dorëzimin e tyre. Dhe, mbi të gjitha, mos harroni se pushteti që sot ju duket i pakufizuar, nesër do të jetë pjesë e përgjegjësisë ligjore dhe pjesë e historisë kombëtare.
Një komb nuk revoltohet brenda një nate. Zemërimi i tij grumbullohet sa herë që qytetari nuk dëgjohet, sa herë që drejtësia blihet, apo kërkohet si privilegj, dhe jo si e drejtë, sa herë që interesi kombëtar, peshon shumë pak, përballë interesave të pushtetit tuaj, dhe sa herë që përgjegjësia para Kushtetutës dhe ligjit, zëvendësohet me propagandë dhe retorikë.
Shqipëria nuk është pronë e asnjë partie, e asnjë kryeministri dhe e asnjë opozite. Shqipëria është e qytetarëve dhe bashkombasve të saj!
Nuk mund të ndërtohet një shtet i fortë duke i bërë qytetarët të ndihen të pafuqishëm, duke dhunuar gjimnazistë, duke masakruar student, duke plagosur të ardhmen e kombit. Nuk mund të kërkohet besim, duke shmangur llogaridhënien. Nuk mund të flitet për demokraci, nëse zëri kundërshtues trajtohet si armik dhe drejtësia shihet si pengesë sa herë që prek pushtetin. Nuk mund të arrestosh atë që nuk paguan dritat dhe atë që hap një dritare pa leje, dhe nuk arreston atë që vjedh qindra miliona euro.
Mandatet numërohen, por dinjiteti nuk matet me numra. Shumicat krijohen në parlament, por legjitimiteti demokratik kërkon edhe përgjegjësi, respekt për ligjin dhe dëgjim me respekt të qytetarëve. Asnjë fitore elektorale nuk e përjashton askënd nga këto detyrime.
Dhe kur qytetarët dalin në rrugë, përgjigjja nuk mund të jetë vetëm forca, përbuzja apo justifikimi. Përgjigjja duhet të jetë politike, institucionale dhe konkrete: Futu në dialog, transparencë. Respekto qytetarët dhe votueit e tu me drejtësi dhe përgjegjësi. Jo me shtypje dhe detyrim për shpopullim.
Dhuna nuk është zgjidhje. Por as shpërfillja e zemërimit qytetar nuk është qeverisje.
Ka edhe një realitet tjetër që nuk duhet ta anashkalojmë: Këto vuajtjet e protestuesve dhe ato të punonjësve të policisë. Në përplasjet në rrugë lëndohen njerëz, përjetohen frikë dhe dhimbje, ndërsa familje të tëra presin me ankth lajmin për të afërmit e tyre. Protestues që kërkojnë të dëgjohen dhe punonjës policie që përballen me rrezikun, nuk duhet të shndërrohen në kundërshtarë të përjetshëm të njëri-tjetrit. Respekto qytetarët, respekto dinjitetin e atyre policëve që me rroga qesharake po gjymtohen nga goditjet e protestuesve me të drejtë të zemëruar.
Nëse protestuesit janë torturuar apo keqtrajtuar, kjo kërkon hetim të pavarur, prova dhe përgjegjësi ligjore. Nëse policët janë sulmuar e lënduar, edhe këto akte duhen hetuar dhe ndëshkuar sipas ligjit. As uniforma nuk e vendos askënd mbi ligjin, as protesta nuk i jep askujt të drejtën për dhunë. Mos dëmto protestueisit dhe të ardhmen e kombit, mos shpall dëshmor të atdheut policët e masakruar dhe të torturuar. Leri të shkojnë pranë familjeve të tyre, sepse edhe ata i presin fëmijtë të cilët i shikojnë të tmerruar pas
Ekranit televiziv. Mos dëmto bizneset private që kanë dekada të ngritura me djersë.
Mendo për të gjithë bijtë e kombit të dhunuar. Mendo për punonjësit e policisë të gjymtuar dhe të lodhur.Polici është gjithashtu qytetar, prind, bashkëshort, vëlla. Ai nuk duhet të paguaj me shëndetin e tij krimet monstruoze të papërgjegjshmërisë së politikës. Por as qytetari që proteston nuk duhet të humbasë të drejtat e tij, sepse kundërshton pushtetin arrogant dhe përbuzës. Forca policore duhet të jetë e ligjshme, e domosdoshme dhe proporcionale, çdo pretendim për tejkalim kompetencash duhet të marrë përgjigje institucionale.
Zoti Kryeministër, përgjegjësia politike apo kombëtare, nuk matet vetëm me atë se si rivendoset qetësia pas një proteste, por edhe me arsyet që i nxorën njerëzit të rrevoltuar në rrugë. Nuk mjafton të shuash flakët e një përplasjeje, nëse lë të ndezura kauzën dhe shkaqet e saj.
Përgjegjësia e politikës është të mos i vendos qytetarët përballë policisë, sikur të ishin armiq të njëri-tjetrit. Shteti duhet të mbrojë njëkohësisht rendin publik, të drejtën për protestë dhe dinjitetin e çdo njeriu. Kur politika dështon të dëgjoj, kur dialogu zëvendësohet me përplasje dhe kur përgjegjësia shmanget, plagët nuk mbeten vetëm në trupat e njerëzve; ato thellohen edhe në ndërgjegjen e shoqërisë.
DIL NË CILËSINË E NJË BURRI SHTETI!!! Dil si burrë shteti që dinë të vendosin Shqipërinë dhe Kombin, mbi interesin personal, pushtetin mbi ambicien e çastit dhe të ardhmen e kombit mbi llogaritë partiake.
Historia nuk i kujton udhëheqësit vetëm për sa gjatë qëndruan në pushtet, por edhe për mënyrën se si e përdorën atë. Për guximin që treguan për të korrigjuar gabimet, për respektin ndaj qytetarëve dhe për aftësinë për të kuptuar se asnjë njeri nuk është mbi shtetin.
Zoti Kryeministër, mos e matni forcën e pushtetit vetëm me mandatet që keni. Mateni me besimin që arrini të ruani. Mos pyesni vetëm sa njerëz ju mbështesin, por edhe sa qytetarë ndihen të përfaqësuar, sa të rinj shohin të ardhmen e tyre në Shqipëri dhe sa njerëz besojnë se ligji është i barabartë për të gjithë.
Sepse pushteti mund të ketë institucionet, administratën dhe shumicën parlamentare në dispozicion. Por ai nuk mund ta zëvendësoj ndërgjegjen e një kombi.
POPULLIN NUK MUND TA MUNDËSH!
Mund ta sfidosh, mund ta zhgënjesh, mund të mos e dëgjosh për një kohë, mund ta shtypësh përkohësisht me forcë. Por nuk mund ta varfërosh, nuk mund ta shpopullosh dhe zvëndësosh me të tjerë, nuk Mund t’ia heqësh përgjithmon të drejtën për të kërkuar llogari, për të kundërshtuar dhe për të kërkuar ndryshim me mjete demokratike.
Mos harroni: qytetarët nuk janë pronë e atyre që fitojnë zgjedhjet. Janë sovrani prej të cilit buron pushteti.
Një ditë, mandatet do të mbarojnë. Qeveritë do të ndryshojnë. Drejtësia do të godas me forcë….. Emrat do të mbeten në faqet e historisë. Por do mbetet dhe do të jetë këtu.
Sado të mundohen që të tjetërsohen trojet etnike, të ndryshihet hisroria, duke jua falur të tjerëve, harrojeni që do të arrihet, sado të masakrohet një popull.
Dhe historia do të bëjë pyetjen e saj të pashmangshme:
Kur patët pushtetin, çfarë bëtë për Shqipërinë për trojet etnike dhe për popullin që jua besoi atë?
PUSHTETI ËSHTË I PËRKOHSHËM. SOVRANI ËSHTË POPULLI. KOMBI DHE SHQIPËRIA ËSHTË MBI TË GJITHË!/ad
