Kursi për trajnerët e licencës UEFA B, i organizuar nga Departamenti i Edukimit në FSHF në zonën e Tiranës mbylli me sukses edicionin e tij të radhës me diplomimin e 32 pjesëmarrësve që ishin pjesë e këtij kursi, ndër të cilët dy vajza.
Së fundi u organizua në “Shtëpinë e Futbollit” edhe ceremonia e diplomimit të trajnerëve të rinj , ku të pranishëm ishin anëtari i KE-së së FSHF-së, Abdyl Kuriu dhe përfaqësues të Departamentit të Edukimit në FSHF, të cilët kanë organizuar programin dhe janë kujdesur edhe për mbarëvajtjen e këtij kursi për formimin sa më cilësor të trajnerëve të rinj.
Kursi për trajnerët e licencës UEFA B zgjati rreth 3 muaj, i ndarë në disa periudha. Të gjitha leksionet janë zhvilluar në Shkollën e Edukimit në Kamëz nën kujdesin e specialistëve të Departamentit të Edukimit në FSHF .
Ish-futbollistë të ekipit kombëtar si Taulant Xhaka, Ahmed Januzi apo edhe futbollistë që kanë qenë pjesë e skuadrave shqiptare si Arbër Çyrbja, Ardit Peposhi, Arsid Kruja, Jasmin Rraboshta, Alked Çelhaka e të tjerë janë pajisur me këtë licencë.
Në një prononcim për FSHF, ish-lojtari kuqezi Taulant Xhaka vlerësoi kursin dhe nivelin e grupit dhe lektorëve dhe tregoi synimet për të ardhmen.
“Kursi ka qenë shumë i mirë, ka shkuar shumë mirë. Profesorët ishin të mrekullueshëm dhe grupi ishte shumë i mirë. Kemi mësuar shumë”.
