Last Updated on 08/09/2026 by EL
Në nisje të këtij sesioni të ri parlamentar, presidenti i Republikës, Bajram Begaj, vetëm pak çaste më parë u përcolli të gjithë deputetëve një mesazh në nisje të këtyre punimeve.
Kreu i shtetit deklaron në këtë përshëndetje se Shqipëria sot është një vend me ambicie të mëdha dhe me një shoqëri që merr pjesë gjithnjë e më shumë në jetën publike. Qytetarët shprehen më hapur për pritshmëritë, shqetësimet dhe kërkesat e tyre. Kjo është pjesë e vitalitetit të një shoqërie demokratike dhe një tregues se demokracia jonë vazhdon të zhvillohet, thotë presidenti Begaj.
Në këtë kuptim, protesta paqësore dhe shprehja e lirë e mendimeve janë pjesë e natyrshme e jetës demokratike. Jo gjithmonë do të kemi të njëjtat qëndrime dhe jo çdo kërkesë mund të gjejë të njëjtën përgjigje.
Presidenti Begaj thotë se është inkurajuese kur zëri i qytetarëve gjen hapësirë në debatin publik dhe merr vëmendjen e institucioneve. Sfida jonë e përbashkët është që kjo energji qytetare dhe ky angazhim institucional të ushqejë një dialog që forcon besimin dhe ndihmon në gjetjen e zgjidhjeve më të mira.
Për presidentin e Republikës, interesat afatgjata të Shqipërisë kërkojnë një vizion përtej ndarjeve politike të ditës. Në mesazhin drejtuar deputetëve, ai thotë se Bashkimi Evropian nuk është vetëm një destinacion diplomatik apo një objektiv politik. Për qytetarët tanë, ai lidhet me besimin tek reformat, me cilësinë e institucioneve dhe me sigurinë se ligji zbatohet për të gjithë.
Për presidentin Begaj, në këtë rrugëtim, konsolidimi i reformës në drejtësi mbetet një nga përgjegjësitë më të rëndësishme të shtetit shqiptar. Rezultatet e SPAK-ut janë një nga arritjet e saj më të rëndësishme.
Reforma duhet të arrijë një drejtësi efikase, me standarde evropiane dhe që ndihet në jetën e qytetarit. Një drejtësi e pavarur, e paanshme dhe me integritet është, para së gjithash, një garanci për qytetarin, thotë presidenti Begaj në mesazhin e tij drejtuar deputetëve, të cilëve u apelon për një angazhim, për një dialog dhe bashkëpunim, por edhe besim se siç thotë ai edhe kur kemi dallime jemi në gjendje të punojmë së bashku për atë që është në interes të vendit./ET
