Të sapodalë nga sukseset e serialit Stranger Things dhe filmit Hamnet, dy aktorët e rinj habiten edhe vetë që tani po interpretojnë dashnorët fatkeq të William Shakespeare në skenat e teatrit të West End-it. Ata flasin për kiminë në skenë, aplikacionet e takimeve – dhe për atë që i kanë mësuar regjisorit Robert Icke.
Intervistë
Nga Emma John
Noah Jupe dhe Sadie Sink po krahasojnë CV-të e tyre.
“Noah ka më shumë përvojë me Shakespeare-in se unë, pa diskutim”, thotë Sink.
“Po, besoj se është e vërtetë”, përgjigjet Jupe.
“Sa rreshta kishe?” – pyet ajo.
“Jo pak, në fakt… më shumë se dhjetë!” – thotë ai me humor.
Nëse Jupe do të donte të mburrej, mund të thoshte me plot të drejtë se ka luajtur Hamletin kur ishte vetëm 19 vjeç. Kjo ndodhi dy verë më parë, kur ai doli në skenë në një kopje të teatrit Shakespeare’s Globe dhe shqiptoi monologun e famshëm “Të jesh apo të mos jesh?” në adaptimin e nominuar për Oscar të Chloé Zhao për filmin Hamnet.
Megjithatë, të luaje një aktor që luan Hamletin – pranon ai – nuk kishte të bënte aspak me përvojën reale.
“Fatkeqësisht, deri tani Shakespeare nuk ishte diçka që më interesonte shumë,” thotë Jupe. Në shkollë nuk kishte arritur kurrë të lidhej me dramat e tij.
“Mënyra si na mësohej ishte aq e mërzitshme dhe akademike, sa hynte nga një vesh dhe dilte nga tjetri. Nuk gjeje asnjë pasion në të.”
Nga “Stranger Things” në Shakespeare
Megjithatë sot ai është ulur në fund të një dite provash për Romeo dhe Zhuljeta, pranë regjisorit të njohur Robert Icke.
Edhe për vetë Sink kjo kthesë ishte e papritur. Aktorja 23-vjeçare, e njohur në mbarë botën për rolin e Max Mayfield në serialin Stranger Things, pranon se nuk e kishte imagjinuar veten duke luajtur Shakespeare kaq herët.
“Kur u takova me Robertin për herë të parë, pata një ndjesi të fortë. Mendova: ‘Po, do ta bëj këtë – dhe do ta bëj tani.’”
Icke e kujton mirë bisedën.
“I thashë: një nga gjërat që mund të bësh tani dhe që nuk do të mund ta bësh më pas pesë vitesh është Zhuljeta. Është një rol i jashtëzakonshëm dhe duhet luajtur në moshë të re që të ketë kuptim.”
Për vetë regjisorin kjo dramë është një histori e papërfunduar. Prodhimi që ai realizoi në vitin 2012 u vlerësua për mënyrën si kapte vrullin e dashurisë adoleshente – por ai ndjen se nuk ishte versioni përfundimtar.
“E bëmë në turne, pa para, dhe unë isha shumë i ri,” thotë ai. “Me Shakespeare gjithmonë të duket se sapo e kupton plotësisht, e sheh edhe pjesën që nuk arrita ta realizoja.”
“Kur lidhen zemra dhe fjala, duket sikur fluturon”
Për Jupe, i njohur nga filmat A Quiet Place dhe Honey Boy, kjo është hera e parë në skenën e teatrit të West End-it.
Entuziazmi i tij është i dukshëm.
“Në film zakonisht nuk kemi shumë tekste. Në teatër duhet të bashkosh zërin, fjalët dhe zemrën. Kur ato lidhen bashkë, të duket sikur po fluturon.”
Ndryshe nga ai, Sink është rritur si një “fanatike e teatrit”. Debutimi në West End nuk e frikëson një aktore që luajti rolin e Annie në Broadway kur ishte vetëm 10 vjeç.
Kur filloi të xhironte Stranger Things në moshën 14-vjeçare, seriali pushtoi pothuajse të gjithë jetën e saj adoleshente.
“Ai serial do të jetë gjithmonë një pjesë shumë e madhe e jetës sime,” thotë ajo. “Jam shumë mirënjohëse për atë eksperiencë, sepse në shumë mënyra më mbrojti.”
Aktorë fëmijë në Hollywood
Sink dhe Jupe nuk njiheshin më parë, por kishin ndjekur punët e njëri-tjetrit.
Dhe kanë një përvojë të përbashkët: të qenit aktorë që në fëmijëri.
Familja e Sink u zhvendos nga Teksasi në New Jersey që ajo dhe vëllai i saj të ishin më pranë skenës së Nju Jorkut. Ndërsa prindërit e Jupe punonin në industri filmi – nëna aktore dhe shkrimtare, babai në prodhim.
“Kjo është një botë e vështirë,” thotë Jupe. “Është e rrallë të takosh dikë të moshës tënde që ka kaluar të njëjtën rrugë dhe ende e do profesionin.”
Sink e përshkruan ndryshimin e perspektivës që pati rreth moshës 18 vjeç.
“Ende e dua aktrimin, por tani e shoh ndryshe. Gjithçka që kam bërë para asaj moshe më duket si një kapitull i veçantë i jetës.”
Dashuria në epokën e aplikacioneve
Biseda shkon edhe te mënyra se si brezi i tyre e përjeton dashurinë.
Jupe mendon se historia e Romeo dhe Zhuljetës është një antidot për cinizmin modern.
“Sot jetojmë në një botë aplikacionesh takimesh dhe rrjetesh sociale,” thotë ai. “Edhe nëse të pëlqen dikush, menjëherë mendon se diku në Brazil mund të ketë dikë ‘edhe më të mirë’.”
Sink e shikon me një buzëqeshje skeptike.
“Po, por mos harro se në fund ata të dy vdesin.”
Një histori që mund të ishte komedi
Regjisori Robert Icke ka një interpretim interesant të dramës.
“Shumë njerëz mendojnë se është një histori për konfliktin mes familjeve,” thotë ai. “Por në të vërtetë është një histori rastësish.”
“Nëse Romeo do të mbërrinte në varr pesë minuta më vonë, do ta gjente Zhuljetën zgjuar dhe gjithçka do të përfundonte mirë.”
Sipas tij, kjo është ajo që e bën dramën e Shakespeare-it të veçantë.
“Në tragjeditë e tjera, katastrofa ka nisur para se të hapet perdja. Këtu jo. Mund të ishte shumë lehtë një komedi.”
Dy yje të rinj në skenën londineze
Duke zgjedhur dy aktorë të rinj me famë të madhe televizive dhe kinematografike, Icke shpreson të tërheqë edhe një publik të ri në teatër.
Produksioni i ri i Romeo dhe Zhuljetës do të vihet në skenë në Harold Pinter Theatre në Londër nga 18 marsi deri më 20 qershor.
Regjisori është i bindur se spektatorët e rinj do të zbulojnë një dimension tjetër të teatrit.
“Nëse e bëjmë siç duhet,” thotë ai, “publiku i ri do të mbetet i mahnitur.”
Përgatiti për botim: L.Veizi
