Thoma Gëllçi
Shqipëria ka pasur gjatë historisë së saj shumë burra që kanë marrë përsipër fate të mëdha. Skënderbeu luftoi kundër Perandorisë Osmane, Ismail Qemali shpalli Pavarësinë, ndërsa Erion Braçes i ra për detyrë të shpëtonte pesëmbëdhjetë bashki nga reforma territoriale.
Dallimi ishte se Skënderbeu kishte ushtri, Ismail Qemali kishte delegatë, kurse Erioni kishte vetëm një votë. Por kjo nuk i shqetësonte aspak shqiptarët. Ata kishin besim se Erioni do të gjente një mënyrë për t’ia dalë. Fundja, shqiptarët kanë shekuj që presin nga të tjerët të bëjnë atë që nuk duan ta bëjnë vetë.
Në Divjakë, Poliçan, Belsh, Cërrik, Selenicë, Përrenjas, Memaliaj e në bashkitë e tjera që do të shkriheshin, qytetarët kishin zënë vend nëpër kafene. Kishin porositur kafe, raki, ndonjë teke vodka dhe prisnin. Reforma ishte e rëndë, por jo aq sa të linte përgjysmë një dopio.
Të gjithë i kishin sytë nga Erioni.
Në këtë pritje historike merrnin pjesë edhe kryetarët e bashkive që do të zhdukeshin nga harta administrative. Midis tyre ishte edhe kryetari i Divjakës, që mendjen e kishte se 12 milionë turistë do të donin 12 milionë domate, 12 milionë speca dhe 12 milionë kastraveca. Ai dhe të tjerët e kishin studiuar me kujdes situatën dhe kishin arritur në përfundimin se shpëtimi i vetëm ishte Erion Braçe.
Erioni duhej të kundërshtonte partinë e tij, të përplasej me kryeministrin, të rrezikonte karrierën politike, të humbiste çdo mundësi për t’u rizgjedhur dhe, po të ishte e nevojshme, të sakrifikonte edhe mandatin.
Për kryetarët e bashkive që shkriheshin, ia vlente një sakrificë e tillë. Ata kishin familje, përgjegjësi dhe një të ardhme për të menduar. Erioni mund të sakrifikonte të ardhmen e tij, sepse kjo ishte një mënyrë shumë më e përshtatshme për të mbrojtur të ardhmen e tyre.
Njëri prej kryetarëve propozoi të organizonin një protestë përpara Parlamentit. Ideja u diskutua seriozisht, por u hodh poshtë. Një protestë mund të interpretohej si kundërshtim ndaj qeverisë, gjë që nuk do të ishte e hijshme për një kryetar socialist.
— Le ta bëjë Erioni, — tha njëri.
— Ai e ka nisur këtë punë, — tha tjetri.
— Dhe është deputet, — shtoi i treti.
Pas kësaj, të gjithë u ndien më të qetë. Kishin gjetur një njeri që mund të humbiste postin e vet për të ruajtur postet e tyre.
Por mbështetësit më të zjarrtë të Erionit nuk ishin kryetarët e bashkive. Ishin drejtuesit e opozitës.
Opozita shqiptare kishte shumë vite që luftonte qeverinë. Kishte organizuar protesta, kishte mbajtur konferenca shtypi, kishte bojkotuar zgjedhje, kishte bërë revolucione dhe kishte shpallur dhjetëra herë fundin e regjimit. Tani, pas gjithë kësaj përvoje, kishte zbuluar mënyrën më të thjeshtë për ta ndalur Edi Ramën. Duhej Erion Braçe.
Kjo ishte një zgjidhje e shkëlqyer. Opozita kishte deputetët e saj, kryetarët e saj, strukturat e saj, militantët e saj dhe një numër të konsiderueshëm njerëzish që shfaqeshin çdo mbrëmje në televizor për të shpjeguar se si duhej luftuar qeveria. Por asnjëri nuk kishte pse të lodhej më. Erioni, një deputet socialist që kandidonte në Tiranë, duhej të merrte përsipër edhe detyrat e opozitës.
Në selinë e saj, situata ndiqej me shqetësim të madh.
Të gjithë po mendonin se kush do të fliste në konferencë shtypi dhe kush do ta shante më tepër Erionin se përse nuk ia doli dot të pengonte qeverinë.
Ky vendim u konsiderua një hap i rëndësishëm në strategjinë e opozitës. Beteja kundër qeverisë mund të fitohej pa qenë nevoja që opozita të merrte përsipër asnjë nga pasojat e saj. Për herë të parë e kishin gjetur edhe fajtorin e vërtetë se përse reforma do të kalonte në votim: ai ishte Erioni.
Në Divjakë, ndërkohë, katër burra kishin zënë një tavolinë pranë televizorit.
— Të shohim se çfarë do të bëjë Erioni, — tha i pari.
— Dhe unë jam kurioz, — tha i dyti.
— Po u tërhoq, nuk ka më burra në këtë vend, — tha i treti.
I katërti kërkoi edhe një dopio raki dhe deklaroi se ishte gati të jepte jetën për bashkinë e Divjakës.
— Po të shkojmë nesër në Tiranë të protestojmë? — e pyeti kamarieri.
— Nesër kam një punë, — tha ai. — Por Erioni nuk duhet të lëshojë pe!
Në Poliçan, Belsh, Cërrik e Selenicë zhvilloheshin diskutime të ngjashme. Qytetarët ishin të bindur se Erioni duhej të tregonte guxim, të kundërshtonte partinë dhe, në rast nevoje, të jepte dorëheqjen. Një burrë në Belsh, që prej tridhjetë vjetësh votonte sipas porosisë së partisë, kërkonte që Erioni të mos i nënshtrohej vendimit të partisë.
Në Përrenjas, një pensionist deklaroi se nuk do ta votonte më kurrë Braçen, po qe se Erioni do të votonte pro reformës. Kamarieri i kujtoi se Erioni kandidonte në Tiranë. Pensionisti u zemërua edhe më shumë, sepse Braçe nuk e kishte idenë sa vota po humbiste në Përrenjas.
Kështu, në të gjithë vendin, qytetarët ishin bashkuar rreth një kërkese të vetme: Erioni duhej të merrte shpatën dhe të dilte në luftë. Për qytetarët e bashkive që shkriheshin, por sidomos për opozitarët, Erioni duhej t’i hipte kalit të Skënderbeut dhe të merrte shpatën e tij.
Në imagjinatën e tyre, Erioni duhej të hynte në Parlament me shpatë në dorë, të përballej me qeverinë, t’i priste kokën Taulant Ballës dhe të shpëtonte pesëmbëdhjetë bashki. Kryetarët e bashkive do ta ndiqnin nga televizori, opozita do ta inkurajonte nga studiot, ndërsa qytetarët do të ngrinin dolli për trimërinë e tij.
Mbrëmja e votimit erdhi më në fund. Shumica parlamentare i kishte votat e nevojshme për ta miratuar reformën edhe pa Erionin. Këtë e dinin të gjithë, por nuk ia vlente të prishej një dramë kombëtare për një hollësi aritmetike.
Erioni votoi pro.
Shqipëria u trondit. Kryetarët e bashkive që prisnin sakrificën e tij u ndien të tradhtuar. Opozita, e cila kishte lënë në duart e një socialisti të gjithë përgjegjësinë për të ndalur qeverinë, zbuloi se Erioni nuk kishte karakter. Qytetarët e Divjakës, Poliçanit, Belshit, Cërrikut e Selenicës ndërprenë për disa çaste kafenë dhe rakinë për ta sharë.
Në studiot televizive filloi gjyqi politik i Erionit. Opozitarët që një ditë më parë e kishin shpallur shpresën e demokracisë, tani e akuzonin se kishte tradhtuar popullin. Ishte një tradhti e veçantë, sepse Erioni kishte dështuar të bënte atë që opozita nuk kishte arritur ta bënte me gjithë deputetët, strukturat, kryetarët dhe revolucionet e saj.
Nëpër bashkitë që do të shkriheshin, qytetarët vazhdonin të ishin të indinjuar. Askush nuk e kishte mendjen te deputetët që kishin votuar reformën, as te qeveria që e kishte propozuar. Përgjegjës ishte vetëm Erioni. Ai kishte gabuar rëndë duke kritikuar reformën dhe nuk kishte bërë atë që bënin 83 deputetë të tjerë, të cilët vetëm heshtnin.
Të nesërmen, katër burrat e kafenesë së Divjakës u mblodhën përsëri, të zhgënjyer nga prishja e bashkisë së tyre. Por njëri prej tyre, gjithë shpresë, i tha kamarierit:
— Na sill nga një dopio!
