Last Updated on 07/08/2026 by EL
Çdo sezon veror, temperaturat e larta rikthejnë në vëmendje një nga tragjeditë më të rënda që mund të ndodhë: harrimin e një fëmije brenda automjetit. Shumica e rasteve nuk lidhen me neglizhencën e qëllimshme, por me një fenomen që psikologët e quajnë “amnesia e kujtesës prospective”, ku ndryshimet, lodhja, nxitimi, stresi apo mungesa e gjumit mund të bëjnë që truri të funksionojë në mënyrë automatike duke çuar në harresë.
“S’ka njeri që e lë kastile fëmije në makinë dhe kjo duhet të na bëjë të reflektojmë. Por nuk ka vit që kjo mos të ndodhë”, tha Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj.
Ekspertët sqarojnë se edhe 5 minuta janë fatale për një fëmijë. Trupi mbinxehet 3-5 herë më shpejt se ai të rriturve.
“Për 10 minuta rritet me 10° temperatura në makinë dhe në qoftë se kemi 35-40 tani, do të shkojë 45-50. Edhe ulja pak e xhamave nuk ndikon shumë. Makina në diell është një furrë”, thekson Brataj.
Mjekët këshillojnë disa veprime të thjeshta, por që të na çojnë sytë në sedijen e pasme.
“Lër një objektin tënd të domosdoshëm në sedijen mbrapa ku është fëmija. Merr një lodër, hidhe te sedija e parë që ti e ke pamjen vizive dhe kur hipën në makinë merre dhe spostoje, çoja te sedija mbrapa në krah të fëmijës .Por kur ndalon në fund të udhëtimit të mungon diçka dhe ajo të kujton. Mos i lër çelësat e makinës fëmijëve të vegjël, sepse mund të hyjë brenda në makinë me gjithë çelësa, u mbyll brenda”, këshillon Brataj.
Nëse shohin një fëmijë të vetëm në një automjet të mbyllur duhet ndërhyrë menjëherë.
“Sigurisht duhet të ndërhysh, duhet ta thyesh xhamin”, shprehet Brataj.
Edhe kafshët shtëpiake apo të moshuarit kanë të njëjtin rrezik. Harrimi i një fëmije në makinë mund të prekë çdo familje, ndaj kontrolli i sedijes së pasme duket të kthehet në një zakon që mund të bëjë dallimin mes jetës dhe vdekjes./et
