Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka u ndal sot gjerësisht në një qëndrim lidhur me situatën politike në vend dhe aksionet e opozitës.
Në një dalje televizive, Ndoka tha se protestat janë një mjet i rëndësishëm i demokracisë, që shërbejnë edhe si matësë e peshës së opozitës shqiptare.
Sipas politikanit, opozita është tanimë e vendosur për të mbrojtur interesin publik përmes kësaj mënyre, përballë një kryeministri që sipas tij, ka elementë korruptivë.
“Protestat pa diskutim që kanë një rëndësi të gjerë mund të thoja, pra se si lexohen, se si perceptohen dhe si japin imazhin dhe pasqyrimin e tyre. Është një mjet i rëndësishëm i demokracisë, i hapësirës kushtetuese, një njësi matëse që edhe kur janë politike, opozita mat peshën e vet, sesa ajo i motivon njerëzit, sesa i frymëzon qytetarët që kanë shumë probleme, por gjithmonë ato janë të prirura që të shikojnë edhe një alternativë, që të krijojnë edhe besimin politik që gjërat do të ndryshojnë nesër.
Po ashtu është edhe një pasqyrë ku kryeministri në veçanti, por edhe mazhoranca sheh veten, sesa është hendeku i i pakënaqësive i rritur nga papërgjegjshmëria e tyre, nga aferat korruptive, nga keqqeverisja dhe besoj se këto i bëjnë mirë shoqërisë në tërësi. Pastaj është edhe një hapësirë për qytetarët, që me të vërtetë protestat kanë një rëndësi shumë të madhe, për faktin që po marrim një shembull që rritja e paargumentuar korruptive e çmimit të naftës, pra në çdo vend të qytetëruar do të jenë qytetarët ato që të dalin pa i thirrur politika, duke treguar zemërimin e tyre, pakënaqësinë e tyre, mos ta pranojnë këtë gjë. Pa diskutim që po!
Opozita nuk është thjesht një përfituese në aspektin e kapitalit politik, por është një institucion që duhet të mbajnë peshë, që duhet ta mbrojnë këtë interes të publikut dhe kjo besoj që edhe data 22 është një datë simbolike, 22 marsi është fitorja e pluralizmit të djathtë në vitin 1992. Është një datë që i jep njerëzve një lloj edhe optimizmi për të ecur përpara, që jo vetëm besimi në Zot, por do të kenë edhe një besim edhe te politika se kjo i ndryshon fatet e vendit, ka përgjegjësinë, ka mëkatet e veta dhe prezenca e qytetarëve, i jep një mesazh gjithsecilit për të riparuar veten në aspektin e e përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë ndaj qytetarëve. Ka një retorikë politike që i shoqëron këto gjithmonë, pra e ngrejnë kurbën sikur këto protesta do ta rrëzojnë qeverinë në momentin që ato përfundojnë.
Ne duhet të jemi të sinqertë në raport me qytetarët, është një njësi matëse shumë e rëndësishme kjo. Pra, mund të ketë edhe një agjendë për ta bllokuar qeverisjen, për ta rrëzuar fare qeverisjen. Kjo është edhe në varësi të pjesëmarrjes, në varësi të situatës politike, në varësi të momentit të duhur. Por deri më sot, ka një ndërgjegjësim maksimal të faktorit ndërkombëtar, që janë të ndërthurura këto. Prandaj edhe opozita i ka marrë me qetësi, me guxim, me kurajë për të ecur përpara, për të vendosur disa piketë mos piketë, është quajtur edhe kilometri i fundit, ka një sens, një logjikë politike kjo protestë. Për faktin që kjo tregon që opozita tashmë është e vendosur. Ka një edhe një tjetërsim të realitetit politik shqiptar. Në qoftë se kemi pasur deri dje kryeministrin Rama, i cili kishte një mbështetje nga faktori ndërkombëtar të sponsorizuar, e padiskutueshme, me elementë korruptivë, me dhurata publike dhe jo publike të tij, sot ky realitet ka ndryshuar”,-deklaroi Ndoka./mxh
