Hetimet e SPAK mbi mënyrën e heqjes së gjobës prej 120 milionë euro ndaj kompanisë “Bankers Petroleum”, kanë ndezur debate të forta në Kuvend.
Ka qenë kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ai i cili i kërkoi llogari ministrit të Financave, Petrit Malajt që të jepte sqarime para qytetarëve nëse shuma e majme është “vjelë” apo jo.
Sipas deputetit opozitar, qytetarët kanë të drejtë të dinë se çfarë ka ndodhur me këto para dhe pse ministria nuk jep asnjë shpjegim publik, edhe pas “bastisjes” së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në ambientet e këtij institucioni.
“Tani ka një çështje që në fakt i intereson qytetarëve, 120 milionë euro. Zoti ministër, nuk mund të heshtni, nuk mund tëb ëni sikur nuk ka ndodhur asgjë. Në Ministrinë tuaj zoti ministër, nuk e di a ishit ju aty, besoj se dhe ti do jesh trembur se njerëz jemi. Do jesh trembur se të të vijë SPAK në zyrë do jesh trembur dhe ti se nuk është ideja pse kanë ardhur por ti thua ore për çfarë po më kapin dhe kaq shpejt, se të tjerët i kapin pak më vonë ty po të kapin menjëherë.
Ka ardhur SPAK në zyrat e ministrisë dhe zyra juaj ka ardhur SPAK dhe ju kërkon llogari për vjeljen e 120 milionë eurove nga Bankers. Keni një përgjigje apo do heshtni? Ke një përgjigje apo e keni qepur të gjithë ju, nuk flet njeri këtu Kjo qeveri është shpartalluar? Ku është qeveria? 120 milionë euro. Si deputet i opozitës po ju pyes këto 120 milionë euro duke pasur parasysh që SPAK po heton, dua të di 120 milionë euro zoti ministër janë vjelë apo jo. Nëse jo? Çfarë po ndodh me këto para”, tha Shehaj.
Kujtojmë se javën e fundit të nëntorit SPAK “mësyu” në Ministrinë e Financave ku dhe bëri të mundur sekuestrimin e të gjitha dokumentacioneve përkatëse, me qëllim për të hedhur më tepër dritë lidhur me anulimin e kësaj gjobe, e konsideruar si më e madhja e vendosur ndonjëherë nga autoritetet fiskale shqiptare. m.p.
